Të paktën një person ka humbur jetën dhe 16 të tjerë janë plagosur këtë të hënë nga një sulm nëpërmjet katër dronëve në qytetin verilindor të Ukrainës, Sumy. Autoritetet vendase përmes një postimi në Telegram pohojnë se për shkak të sulmit ka pësuar dëmtime në një ndërtesë zyrtare dhe dy banesa.
Pamjet nga vendi i ngjarjes treguan flakët që dilnin nga një prej ndërtesave të banimit. Strukturat ishin të shkatërruara dhe oborret ishin të shpërndara me mbeturina.
Disa orë pas sulmit të mëngjesit, u lëshua një alarm i mëtejshëm për sulm ajror, me forcat ajrore ukrainase që paralajmëruan se më shumë drone mund të jenë në rrugë.
Ndërkohë më herët ushtria e Kievit tha se kishte rrëzuar 13 nga 17 dronët Shahed të prodhuar nga Irani të lëshuar nga Moska gjatë natës./abcnews.al