Një polic është sulmuar me thikë në Kanë, në jug të Francës. Ministri i Brendshëm francez Gerald Darmanin në një reagim për ngjarjen bëri me dije se agresori është neutralizuar.
Efektivi është plagosur lehtë dhe sipas mediave të huaja, sulmi vjen pasi shqetësimet mbi krimin e dhunshëm dhe terrorizmin janë ndër kryesoret, në prag të zgjedhjeve presidenciale franceze të vitit 2022.
“Unë do të shkoj menjëherë në vendngjarje sot në mëngjes dhe i ofroj mbështetjen time policisë kombëtare dhe qytetit të Kanës”, ka shtuar Darmanin në llogarinë e tij në Twitter.
BFM TV, duke cituar një burim policor, tha se sulmuesi hapi derën e një makine policie të vendosur përpara stacionit të policisë, duke goditur me thikë policin që ndodhej në timon.
Më pas ai tentoi të sulmonte një polic të dytë në makinë, por një polic i tretë në makinë qëlloi me armë, duke e plagosur rëndë sulmuesin.