Policia e Kosovës ka reaguar në lidhje me sulmin fizik të ushtruar ndaj Valon Sylas. Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, në një deklaratë për mediat ka bërë me dije se rasti është nën hetime.
“Rreth orës 12:00 kemi pranuar informatën se një person është sulmuar fizikisht në lagjen ‘Pejton’ në Prishtinë. Menjëherë në vendngjarje kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe po merren me rastin”, tha Ahmeti.
Ndërkohë nuk ka asnjë informacion në lidhje me arsyet për sulmin. Gjithashtu për dhunën ndaj gazetarit ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
“Në një video, e cila po qarkullon në rrjetet sociale, Syla shihet duke u grushtuar nga një person i panjohur. Në lidhje me rastin, AGK-ja ka kontaktuar Policinë e Kosovës, e cila ka konfirmuar se ka pranuar informatën për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Valon Syla ishte gazetar i Radio Televizionit të Kosovës dhe për disa vite korrespondent nga Beogradi./abcnews.al