Ministria turke e Mbrojtjes njoftoi pas mesnate se disa objektiva të PKK-së ishin bombarduar.
Bëhet fjalë për 32 pozicione të PKK-së dhe aleatëve të saj, në Irakun verior dhe në territorin e Sirisë, pak orë pas sulmit në Ankara, i cili i mori jetën e pesë personave dhe i atribuohet lëvizjes së armatosur separatiste kurde nga autoritetet turke.
“Siç lejohet nga e drejta jonë për vetëmbrojtje sipas nenit 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, një operacion ajror u krye kundër objektivave terroristë në Irakun verior dhe Siri (…) dhe gjithsej 32 objektiva terroristë u shkatërruan me sukses”, tha ministria turke në një deklaratë.
Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Gerlikaya tha dje se autorët e sulmit në kryeqytetin turk ka shumë gjasa të kenë qenë anëtarë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).
Sipas autoriteteve, pesë viktimat ishin katër punëtorë të ndustrisë turke të mbrojtjes TUSAS dhe një shofer taksie. Autorët ishin dy burra dhe një grua.