Sulmi terrorist i Nisës, jo në emër të myslimanëve

schedule12:43 - 31 Tetor, 2020

schedule 12:43 - 31 Tetor, 2020

Nga Faisal J.Abbas, Arab News*

Nuk mund të ketë asnjë fjalë tepër të ashpër, për të dënuar sulmin e tmerrshëm në Bazilikën e Notre-Dame në Nisë, dhe plagosjen me thikë në konsullatën franceze në Xhedah të Arabisë Saudite. Është e vërtetë, tallja me Profetin Muhamed, dhe në fakt me çdo simbol fetar, është e papranueshme.

Por, po e tillë është edhe dhuna ndaj njerëzve të pafajshëm. Dhe sigurisht që ajo nuk duhet të kryhet në emrin tonë si myslimanë. Është e vërtetë që ka gjak në duart e atyre që pretendojnë se po e mbrojnë Islamin, por në fakt ata po kërkojnë të arrijnë përmes akteve të tilla vetëm synimet e tyre politike.

Falë ndikimit keqdashës të Turqisë dhe Katarit, fushata e fundit kundër Francës ka shkuar përtej politikës, dhe tani po kushton jetë njerëzish. Keqpërdorimi i fesë për të fituar disa pikë më shumë, ka qenë gjithnjë një taktikë e preferuar e regjimeve të liga.

Irani është një lojtar kryesor në këtë strategji. Ai duket më i etur të pushtojë kryeqytetet arabe – Sanën, Bagdadin, Bejrutin, Damaskun – sesa të çlirojëJeruzalemin. Kur Sadam Huseini u mund në Luftën e Gjirit, diktatori irakian bëri sikur iu kthye fesë, dhe shtoi fjalët “Allahu Akbar” në flamurin kombëtar.

Diçka kjo shumë ironike, pasi regjimi i Partisë Ba’ath ishte i njohur për ateizmin e tij.

Në këto kushte, drejtimi i fushatës për të bojkotuar produktet franceze,i leverdis shumë në këto momente Rexhep Taip Erdoganit.

Presidenti turk gjendet në një pozitë tepër delikate, si rezultat i ndërhyrjes së tij agresive në Libi, Armeni, Greqi dhe Qipro, duke e çuar në përplasje të forta me Egjiptin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Rusinë, BE dhe Shtetet e Bashkuara.

Fushata në disa vende për të bojkotuar mallrat turke është e kuptueshme, ndërsa fushata për të bojkotuar produktet franceze jo. As presidenti Emanuel Makron, dhe askush tjetër në qeverinë e tij nuk është përgjegjës për karikaturat e keq-konceptuara që kanë shkaktuar kaq shumë fyerje.

Por Erdogan dhe qeveria e tij, janë drejtpërsëdrejti përgjegjës për gjakderdhjet në vendet ku ka ndërhyrë Turqia. Siç e bëri të qartë në një analizë “Arab News” këtë javë, Turqia nën Erdoganin ka kaluar nga një politikë e të pasurit zero probleme me fqinjët e saj, tek të pasurit gati zero miq.

Pra gati zero, përveç Katarit –që e mbështet financiarisht Turqinë, financon terrorizmin dhe që i ofron hapësirën e vet mediatike klerikut ekstremist me banim në Doha, Jusuf Al-Karadaui, për të hedhur helmin e tij vrasës kundër të krishterëve dhe hebrenjve.

“O Zot, merru jetën agresorëve tradhtarë hebrenj … O Zot, numëroji sa janë ata, vriti një e nga një, dhe mos kurse asnjë!”- ka thënë ai. Ajo që është veçanërisht idiote në lidhje me retorikën aktuale anti-franceze të përhapur nga Turqia dhe Katari, është se ajo jo vetëm që e vë nën shënjestër çdo qytetar francez, por i vendos gjithashtu myslimanët francezë – dhe bizneset e tyre – nën rrezikun real të dëmtimit tw tyre fizik dhe financiar.

Ata që e përdorin fenë për përfitime politike, që kultivojnë urrejtjen dhe nxisin hakmarrje, do të bënin mirë të mësonin pak mbi besimin fetar që pretendojnë se mbrojnë dhe përhapin. Hadithi mysliman mbi mëshirën, tregon se kur Profeti Muhamed u përpoq të përhapte Islamin tek banorët e qytetit Taif, ata reaguan ashpër duke e goditur me gurë, derisa profeti u përgjak.

Engjëlli Gabriel dhe “engjëlli i maleve”, u ofruan të rrëzonin malet përreth,që të shtypnin ata që e kishin plagosur, por profeti refuzoi dhe zgjodhi të falte.

Një qasje e tillë është në zemër të Krishterimit. Në Predikimin e tij në Mal, Jezusi e hodhi qartazi poshtë konceptin “sy për sy, dhe dhëmb për dhëmb”. Ai u tha ndjekësve të tij:”Nëse dikush ju godet në faqen e djathtë, atëherë kthejani atij faqen tjetër”. Ne jetojmë në kohë të vështira dhe të rrezikshme. Nëse kanë qenë ndonjëherë të nevojshme këto leksione mbi tolerancën, koha është pikërisht tani.

*Faisal J.Abbas, është kryeredaktori i portalit “Arab News”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!