Sulmi në portin e Odesës, Zelensky akuzon rusët për barbarizëm: Nuk iu besohet për marrëveshje

schedule08:30 - 24 Korrik, 2022

schedule 08:30 - 24 Korrik, 2022

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar Rusinë për barbarizëm pas një sulmi me raketa në portin e Odesës.

Mrrëveshja historike për të rifilluar eksportet e drithërave të Ukrainës, e nënshkruar nga palët, duket se është shkelur nga rusët.

Moska nuk ka komentuar mbi sulmin dhe Kievi ka thënë se përgatitjet janë ende duke u zhvilluar për të rifilluar eksportet e grurit, pavarësisht shkeljes së dukshme.

Por të shtunën, presidenti Zelensky tha se kjo ilustron se si Moskës nuk mund t’i besohet që t’i përmbahet marrëveshjes.

Ai u zotua të bëjë gjithçka që është e mundur për të blerë sisteme të mbrojtjes ajrore të aftë për të rrëzuar raketa të tilla në të ardhmen.

Ukraina është një eksportues kryesor i drithit, por për shkak të luftës, rreth 20 milion ton drithë janë bllokuar në portet e saj, në pamundësi për t’u larguar për shkak të forcave ruse.

Kjo ka çuar në mungesa ushqimore dhe rritje të çmimeve në të gjithë Afrikën, e cila zakonisht varet nga Ukraina dhe Rusia për grurin.

Sipas marrëveshjes së së premtes, Rusia ra dakord të mos synonte portet. Por vetëm disa orë pas nënshkrimit të marrëveshjes, dy raketa Kalibr goditën portin e Odesës, sipas qendrës së komandës jugore të ushtrisë ukrainase. Dy raketa të tjera u rrëzuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore, shtoi ai.

Sulmi nuk shkaktoi dëme të konsiderueshme në port, tha qendra komanduese. /abcnews.al