Sulmi në Gjirin e Omanit, Rama: Provokim tipik i Iranit

schedule18:30 - 15 Qershor, 2019

schedule 18:30 - 15 Qershor, 2019

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për ngjarjet e fundit në Gjirin e Omanit, ku dy anije cisternë u sulmuan me mina. Pasi Uashingtoni bëri përgjegjës Republikën Islamike të Iranit për ngjarjen, edhe Kryeministri shqiptar ka ndjekur të njejtën linjë me aleatin strategjik.

“Këto sulme në Gjirin e Omanit janë një kërcënim serioz për paqen ndërkombëtare dhe sigurinë e energjisë. Shqipëria qëndron e vendosur me Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Arabisë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kundër asaj që duket të jetë një provokim tipik i projektuar nga Irani për të përshkallëzuar tensionet”, shkruan Rama në ‘Twitter’.

Sa i përket marrëdhënieve të Shqipërisë me Iranin, ato janë tensionuar për shkak të vendimit të Tiranës për të pranuar më shumë se 3000 muxhahedinë, grup i konsideruar terrorist nga Teherani.

Në dhjetor të 2018-ës u dëbua në Shqipëria ambasadori i Iranit, Gholamhossein Mohammadnia, i cili u akuzua se kishte kryer veprimtari në kundërshtim me statusin diplomatik.

Ndërsa lidhur me incidentin në Gjirin e Omanit ka reaguar të premten Presidenti amerikan Donald Trump, i cili ka fajësuar Iranin. Ndërkohë, në reagimin e tij Presidenti iranian i ka konsideruar Shtetet e Bashkuara rrezik për stabilitetin rajonal dhe ka kërkuar forcimin e aleancës me Rusinë.

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit pas incidentit në Gjirin e Omanit thellohen nga ora në orë. Pas sekretarit të Shtetit, lidhur me shpërthimin që përfshiu dy anije-cisternë ka reaguar vetë presidenti Donald Trump, që ka fajësuar Republikën Islamike për ngjarjen.

I pyetur nga mediat se si synon të reagojë ndaj Teheranit në mënyrë që episode të tilla të mos përsëriten, Trump është përgjigjur duke thënë: “Do të shohim ç’do të ndodhë”.

Megjithatë, Trump shtoi se është i hapur për negociata me Iranin.

“Ne duam që ata të kthehen në tryezën e bisedimeve. Unë jam gati kur të jenë gati edhe ata”, tha shefi i Shtëpisë së Bardhë, duke shtuar megjithatë se nuk ka ndërmend të ngutet.

Ndërkohë, lidhur me ngjarjen reagoi edhe presidenti iranian Hasan Ruhani, i cili tha se në kushtet e presioneve të jashtme dhe sanksioneve është e nevojshme të forcohen lidhjet mes Rusisë dhe Iranit. Këtë deklaratë Ruhani e bëri gjatë një takimi me liderin e Kremlinit, Vladimir Putin në kuadër të një samiti që po zhvillohet në Kirgizstan.

Administrata amerikane, duke përdorur instrumentet e saj ekonomike, financiare dhe ushtarake ka ndërmarrë një politikë agresive duke u kthyer në një kërcënim serioz për stabilitetin e rajonit dhe botës”, deklaroi Ruhani.

Ai shtoi se marrëveshja bërthamore e arritur me administratën amerikane parardhëse tregon se, nëse ka vullnet politik problemet mund të zgjidhen./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!