Policia e Kosovës gjeti disa armatime gjatë bastisjeve të kryera këtë të shtunë në veri lidhur me sulmin e Banjskës, ku mbeti i vrarë një efektiv policie dhe u plagosën disa të tjerë. Ajo kreu kontrolle në shtatë lokacione, katër prej të cilave në Mitrovicë të Veriut, dy në Zveçan dhe një në Banjskë.
Siç raporton Radio Evropa e Lirë, policia gjeti mjete shpërthyese, pushkë automatike dhe plumba në Mitrovicë të Veriut. Në zonën e bastisjeve janë parë edhe pjesëtarë të KFOR-it. Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Veton Elshani tha se deri më tani nuk ka të arrestuar, raportoi REL.
Si pasojë e sulmeve të 24 Shtatorit mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku ndërsa në shkëmbim zjarri e sipër u vranë edhe tre sulmues serbë. Kosova ka akuzuar qeverinë serbe se qëndron pas sulmit mirëpo përgjegjësinë e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç, i cili hoqi dorë nga funksionet publike.