Tre personat e arrestuar nga autoritetet në Kosovë për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit iu është shtuar masa e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë. Vladimir Toliç, Blagoje Spasojeviç dhe Dushan Maksimoviç ranë në pranga pasi qëlluan me armë zjarri në drejtim të policisë së Kosovës.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve V.T, B.S dhe D.M, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që të pandehurve V.T, B.S dhe D.M, iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, për secilin”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.
Kujtojmë që nga sulmi i 24 Shtatorit mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë. Gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë e Kosovës, u vranë edhe tre sulmues serbë që u strehuan për disa orë në Manastirin e Banjskës. Milan Radoiçiç nga Lista Serbe mori përgjegjësinë për sulmin terrorist./abcnews.al