Sulmi ndaj shkrimtarit Salman Rushdie, shtypi iranian: T’i puthim dorën me të cilën goditi armikun e Zotit

schedule11:12 - 13 Gusht, 2022

schedule 11:12 - 13 Gusht, 2022

Gazeta kryesore ultra-konservatore iraniane Kaihan përgëzoi sot njeriun që goditi me thikë shkrimtarin me famë botërore Salman Rushdie, autor i “Vargjeve Satanike”, i cili ka qenë objektiv i Iranit për më shumë se 30 vite.

“Bravo për këtë njeri të guximshëm dhe të ndërgjegjshëm që sulmoi  të ligun Salman Rushdie”, shkruajti gazeta, kreu i së cilës emërohet nga udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.

“Le t’i puthim dorën atij që godit me thikë armikun e Zotit”, vijon publikimi.

Sulmuesi goditi me thikë Rushdie në qafë dhe në bark në një auditor të qendrës kulturore në Chautauqua, në Nju Jork. Sipas informacioneve shkrimtari  është i intubuar dhe mund të humbasë njërin sy.

Lexo edhe: Rrezikon të humbasë njërin sy, kush është autori që plagosi shkrimtarin Salman Rushdie

Autoritetet iraniane ende nuk kanë komentuar zyrtarisht për atentatin ndaj 75-vjeçarit.

“Unë nuk do të qaj për një shkrimtar që ka urrejtje të pafund dhe përbuzje për muslimanët dhe Islamin,” shkroi në Twitter Mohammad Maradi, një këshilltar i grupit të negociatorëve për çështjen e programit bërthamor të Iranit.

“A nuk është e çuditshme që ndërkohë që po i afrohemi një marrëveshjeje të mundshme për programin bërthamor, Shtetet e Bashkuara po pretendojnë se një sulm ndaj (ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë) Bolton ishte planifikuae dhe më pas kjo ndodh ?” u shpreh ai.

Salman Rushdie kishte nxitur zemërimin në një pjesë të botës myslimane me botimin, në shtator 1988, të “Vargjet Satanike”. Themeluesi i Republikës Islamike të Iranit, Ajatollah Ruhollah Khomeini, lëshoi ​​një urdhër në vitin 1989 duke bërë thirrje për vrasjen e autorit.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!