Sulmi ndaj 4 kongresmenëve, Trump “i hedh benzinë zjarrit”

schedule23:45 - 15 Korrik, 2019

schedule 23:45 - 15 Korrik, 2019

Pavarësisht kritikave të shumta, presidenti Donald Trump nuk është tërhequr nga sulmet ndaj 4 ligjvënëseve demokrate. Në reagimin e radhës, ai i ka akuzuar ato se urrejnë Shtetet e Bashkuara dhe për këtë duhet të largohen.

Presidenti Donald Trump i ka hedhur benzinë zjarrit, duke e bërë më agresiv sulmin ndaj 4 kongresmeneve demokrate, duke i akuzuar ato se urrejnë Shtetet e Bashkuara. Në një konferencë shtypi të mbajtur të hënën jashtë Shtëpisë së Bardhë, Trump u bëri thirrje politikaneve në fjalë që të largohen nga Amerika.

“Për mendimin tim, ju e urreni këtë vend. Nëse nuk jeni të lumtura këtu dhe ankoheni gjatë gjithë kohës, atëherë mund të ikni. Ikni, nuk besoj se do marrë malli njeri për ju”, tha Trump. I pyetur nga një gazetar nëse druhet se postimet e tij në rrjetet sociale mund të interpretohen si mesazhe raciste, presidenti tha se kjo gjë nuk e shqetëson. “Kjo gjë nuk më shqetëson fare pasi shumë njerëz janë dakord me mua”, u përgjigj Trump.

Presidenti amerikan iu referua kongresmeneve Aleksandria Okasio Kortez, Rashida Tlaib, Ajana Presli dhe Ilhan Omar, disa prej të cilave kanë lindur në Amerikë ndërsa të tjera kanë mbërritur në moshë të vogël. Gjatë fundjavës, Trump tha në profilin e tij në Twitter se 4 politikanet, të njohura në Kongres si “skuadra” për shkak se iu përkasin minoriteteve etnike, duket të kthehen në vendet e origjinës, sipas tij të shkatërruara dhe të kapluara nga krimi./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!