Sulmi me 6 të vrarë në shkollën fillore, qytetarët kërkojnë ligje më të ashpra për armët në Tennessee

schedule14:56 - 31 Mars, 2023

schedule 14:56 - 31 Mars, 2023

Qindra njerëz kanë protestuar në Tennessee të SHBA-ve duke kërkuar nga autoritetet e shtetit amerikan që të shtrëngojnë ligjet pas të shtënave vdekjeprurëse të së hënës në një shkollë në Nashville, ku humbën jetën gjashtë persona, tre prej të cilëve ishin fëmijë.

“Ndjeva për detyrë të isha këtu…të jem një zë për fëmijët, për të pasur prioritet sigurinë e tyre”, tha një nënë e dy fëmijëve për CNBC. “Nuk i gjej as fjalët. Si t’ia shpjegoni këtë një fëmije 6-vjeçar? Si ta përgatisni dikë për të luftuar për jetën e tij në një vend që e do?”

Ligjvënësit republikanë në Tennessee këtë javë vonuan debatin mbi një projektligj që do të zgjeronte aksesin ndaj armëve të zjarrit, raporton AP. Ky shtet amerikan e ka bërë më të lehtë marrjen e armëve të zjarrit në vitet e fundit dhe ka hequr nevojën për leje për të mbajtur një pistoletë.

Audrey Hale, e dyshuara për vrasjen e tre fëmijëve dhe tre të rriturve të hënën në një shkollë fillore private në Nashville, bleu ligjërisht gjithsej shtatë armë zjarri, tha policia. Hale, një ish-nxënëse e asaj shkolle, u vra më pas në një shkëmbim zjarri me policinë e vendit./abcnews.al