Kryetari i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë Angelo Massafra ka reaguar për sulmin me thikë të ndodhur sot në xhaminë “Dine Hoxha” te Rruga e Kavajës në Tiranë.
Massafra përmes një letre dërguar kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, imzot Massafra thekson se është i tronditur për ngjarjen dhe shpreh solidaritetin e të gjithë Kishës katolike në Shqipëri.
Gjithashtu ai ka kërkuar nga autoritetet e drejtësisë që të zbardhin ngjarjen dhe bën thirrje që ngjarje të tilla mos të përsëritetn më.
“Lajmi i sulmit me thikë nga një individ në xhaminë e Dine Hoxhës në Tiranë ku kanë mbetur të plagosur disa besimtarë myslimanë na ka tronditur të gjithëve.
Duke shpresuar që ngjarja të zbardhet sa më shpejt në të gjitha detajet e saj, ju shprehim juve, e nëpërmjet jush, të plagosurve e familjeve të tyre, afërsinë e solidaritetin e të gjithë Kishës katolike në Shqipëri.
I lutemi Zotit për ju të gjithë, që po jetoni edhe muajin e Ramazanit, për të plagosurit, për komunitetin tuaj e të gjithë shqiptarët që paqja dhe e mira të mbretërojë në zemrat tona e që ngjarje të tilla të mos përsëriten më”, shkruan Massafra./abcnews.al