Sulmet rusë në Ukrainë, vriten gjashtë persona

schedule18:12 - 21 Qershor, 2024

schedule 18:12 - 21 Qershor, 2024

Së paku gjashtë njerëz janë vrarë si pasojë e sulmeve ruse me artileri dhe raketa në Ukrainë më 21 qershor. Moska, ndërkohë, pretendoi se Kievi kreu sulm “masiv” me dronë në Krimenë e okupuar dhe në disa rajone të tjera brenda Rusisë.

Pesë civilë u vranë dhe 11 të tjerë u plagosën nga granatimet ruse në zonat civile në Donjeck, i cili u sulmua 22 herë në 24 orët e fundit, tha shefi i administratës rajonale ushtarake, Vadym Filashkin.

Shtëpi banimi, ndërtesa të tjera dhe objekte të infrastrukturës u dëmtuan nga sulmet ruse, shtoi Filashkin.

Në rajonin jugor Herson, një person u vra dhe një tjetër u plagos nga granatimet dhe bombardimet ruse që u kreu nga lumi Dnjepër, tha guvernatori rajonal Oleksandr Prokudin.

Në përgjithësi, 15 vendbanime u sulmuan në këtë rajon, përfshirë kryeqytetin rajonal, Herson, tha Prokudin, duke shtuar se një numër shtëpisë banimi u shkatërruan nga sulmet me artileri.

Në rajonin verilindor Harkiv, i cili është duke u përballur me sulme të vazhdueshme ruse në muajt e fundit, një person u plagos nga sulmet gjatë natës, tha guvernatori rajonal Oleh Synyehubov.

Edhe rajonet Dnipropetrovsk, Zaporizhja dhe Sumi u sulmuan, thanë zyrtarët lokalë.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se kundërajrorët e saj i rrëzuan 114 dronë ukrainas mbi Krimenë e okupuar dhe në rajonet ruse Krasnodar, Briansk dhe Volgogard më 21 qershor. Një person u vra dhe katër të tjerë u plagosën, sipas saj.

Rafineria e naftës në Seversk të Krasnodarit u godit nga copëzat e dronëve të rrëzuar, të cilat shkaktuan një zjarr që u shuan menjëherë nga zjarrfikësit, tha guvernatori rajonal Veniamin Kondratyev në Telegram.

Një person u vra si pasojë e rënies së copëzave të dronëve të rrëzuar pranë një stacioni autobusësh në Krasnodar, tha ai.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës raportoi se në dy netët e fundit, forcat ukrainase “me sukses i kanë goditur” një numër objektivash në Rusi dhe në Krimenë e okupuar, përfshirë rafineri nafte, stacione radarësh dhe depo dronësh./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!