Sulmet me drone iraniane, Stoltenberg: Ukraina së shpejti do të marrë sisteme të mbrojtjes ajrore

schedule21:56 - 18 Tetor, 2022

schedule 21:56 - 18 Tetor, 2022

Në ditët në vijim, NATO do t’i dërgojë Ukrainës sisteme të mbrojtjes ajrore, tha shefi i aleancës ushtarake, Jens Stoltenberg më 18 tetor.

Deklarata e Stoltenbergut vjen teksa për më shumë se një javë, Ukraina po përballet me sulme ajrore ruse që kanë shkatërruar pothuajse një të tretën e stacioneve të energjisë në vend.

Gjatë një konference të sigurisë në Berlin, Stoltenberg tha se sistemet e mbrojtjes ajrore do t’i ndihmojnë Ukrainës që të mbrojë veten nga sulmet, përfshirë edhe nga sulmet me dronë të prodhimit iranian, që kanë shkaktuar shumë vdekje dhe shkatërrim, qëkur Rusia nisi një valë të re sulmesh në mbarë Ukrainën më 10 tetor.

Stoltenberg tha se përgjigja ndaj sulmeve është që aleatët të rrisin dërgesat e tyre me sisteme të mbrojtjes ajrore.

“Gjëja më e rëndësishme që ne mund të bëjmë është të dërgojmë ato që aleatët tanë kanë premtuar, të përshpejtojmë dërgesat me më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore”, tha shefi i aleancës perëndimore ushtarake.

NATO “në ditët në vijim” do të dërgojë sisteme për t’iu kundërvënë kërcënimit specifik që paraqesin dronët, përfshirë edhe dronët e Iranit, tha ai.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, më herët tha se sulmet gjatë 18 tetorit kanë goditur Kievin dhe qytetet e tjera ukrainase. Sipas tij, sulmet kanë goditur zona të banuara dhe infrastrukturë të energjisë.

Përmes një postimi në Twitter, ai tha se sulmet e javës së kaluar kanë shkaktuar ndërprerje masive të rrymës në mbarë Ukrainën dhe se “nuk ka hapësirë për negociata” me presidentin rus, Vladimir Putin, i cili urdhëroi nisjen e pushtimit të shtetit të tij më 24 shkurt./REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!