Tensionet në jug të Libanit janë përshkallëzuar sërish, pasi sulme ajrore izraelite kanë shkaktuar vdekjen e të paktën pesë personave, përfshirë një gazetare, duke vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e armëpushimit të brishtë në rajon.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Lajmeve të Libanit, një sulm i parë goditi një automjet në fshatin at-Tiri, ku humbën jetën dy persona që ndodheshin brenda tij. Ushtria izraelite deklaroi se kishte në shënjestër dy automjete që sipas saj kishin dalë nga një strukturë ushtarake e lidhur me grupin Hezbollah.
Më vonë gjatë ditës, një tjetër sulm ajror goditi një ndërtesë në të njëjtin fshat. Në këtë vend ndodheshin dy gazetare nga media lokale “Al Akhbar”, Amal Khalil dhe Zeinab Faraj, të cilat kishin shkuar për të raportuar nga vendi i sulmit të parë.
Si pasojë e bombardimit, Khalil mbeti e bllokuar nën rrënoja dhe më pas u konfirmua e vdekur nga redaksia e saj, ndërsa Faraj u dërgua në spital në gjendje shumë të rëndë dhe pritet t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale.
Sipas raportimeve nga terreni, ekipet e Kryqit të Kuq dhe të shpëtimit u përballën me vështirësi të mëdha për të arritur te viktimat, për shkak të sulmeve të vazhdueshme në zonë. Ministria e Shëndetësisë e Libanit akuzoi Izraelin se kishte “ndjekur” dhe shënjestruar gazetarët duke goditur ndërtesën ku ata kishin kërkuar strehim.
Gjithashtu, raportimet tregojnë se një tjetër sulm kishte në shënjestër rrugën kryesore që lidh at-Tirin me qytetin Haddatha, me qëllim pengimin e ambulancave dhe ekipeve të emergjencës për të arritur në vendngjarje.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta dhe rrit shqetësimet për sigurinë e civilëve dhe gazetarëve në zonat e konfliktit.


