Papa Leoni XIV ka bërë thirrje për t’i dhënë fund konflikteve, duke u shprehur se lufta është gjithmonë një disfatë.
Teksa përmendur luftën në Gaza, në Ukrainë dhe së fundmi sulmet mes Iranit dhe Izraelit, Papa thotë se nuk duhet të mësohemi me luftën, por duhet të rrëzojmë ‘joshjen e armëve të fuqishme dhe të sofistikuara’.
“Zemra e Kishës është e shqyer nga britmat që vijnë nga vendet e luftës, në veçanti nga Ukraina, Irani, Izraeli dhe Gaza. Nuk duhet të mësohemi me luftën, përkundrazi duhet ta hedhim poshtë si tundim joshjen e armëve të fuqishme dhe të sofistikuara”, deklaroi Papa.
“Në emër të dinjitetit njerëzor dhe të drejtës ndërkombëtare, u përsëris atyre që janë përgjegjës atë që thoshte Papa Françesku: ‘Lufta është gjithmonë një disfatë.’ Dhe me Piun XII: ‘Asgjë nuk humbet me paqen, gjithçka mund të humbasë me luftën”, shtoi më tej Papa.
Sulme të reja midis Iranit dhe Izraelit, me Teheranin që njofton se ka përdorur edhe sulme hipersonike dhe IDF që siguron se ka goditur vendet e programit bërthamor të Teheranit. Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, shkroi në një postim në X se “beteja ka filluar” dhe vendi i tij nuk do të tregojë “asnjë mëshirë” ndaj udhëheqësve izraelitë: “Ne do t’i japim një përgjigje të fortë regjimit terrorist sionist”.
Mesazhi erdhi disa orë pasi Trump i kërkoi Teheranit një “dorëzim pa kushte”. Ambasadori iranian në OKB në Gjenevë tha se Teherani do t’u përgjigjet “pa kufij” sulmeve të Izraelit dhe, në rast të përfshirjes së drejtpërdrejtë, edhe atyre të Shteteve të Bashkuara. Kjo u raportua nga Haaretz, duke cituar Reuters.
Sipas New York Times, duke cituar burime amerikane, “Irani po përgatit raketa dhe pajisje të tjera ushtarake për të sulmuar bazat amerikane në Lindjen e Mesme nëse Shtetet e Bashkuara bashkohen me luftën e Izraelit”.
“Mund të vendosin mina në Ngushticën e Hormuzit nëse Shtetet e Bashkuara bashkohen me luftën e Izraelit”, shkruan gjithashtu NYT. / abcnews.al

