Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko ka paralajmëruar sot se kryeqyteti ukrainas do të përballet me “dimrin më të keq që nga Lufta e Dytë Botërore” pas sulmeve ruse në infrastrukturën energjetike të qytetit.
Banorët në Kiev duhet të jenë gati për “skenarin më të keq” të ndërprerjeve të gjera të energjisë në temperatura të ulëta, tha ai në një intervistë me gazetën gjermane Bild.
Ai tha se pjesë të kryeqytetit do të duhet të evakuohen duke pasur parasysh këtë skenar.
Klitschko tha: “Ne gjithashtu duhet të përgatitemi për skenarin më të keq. Që do të thotë nëse do të ketë ndërprerje të mëdha të energjisë dhe temperaturat do të jenë edhe më të ftohta. Atëherë disa pjesë të qytetit do të duhej të evakuoheshin, por ne nuk duam që të arrihet deri te kjo.”
Ai akuzoi presidentin rus, Vladimir Putin, se po përpiqet të intimidojë njerëzit dhe t’i detyrojë ata të largohen nga qyteti duke urdhëruar bombardimin e infrastrukturës civile.
Kryebashkiaku shtoi: “Putini do të terrorizojë njerëzit, t’i bëjë ata të ngrijnë, pa dritë. Por kjo nuk do të ndodhë. Përshtypja ime është se njerëzit do të bëhen më të zemëruar, më të vendosur. Ne nuk do të vdesim dhe nuk do të ikim siç dëshiron Putini.” /abcnews.al/