Një sulm ndaj një institucioni shëndetësor në Sudan ka vrarë të paktën 64 persona dhe ka plagosur 89 të tjerë, ka raportuar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Zyra humanitare e OKB-së në Sudan kishte thënë më parë se ishte e tmerruar nga sulmi ndaj një spitali në Darfurin Lindor dje, që raportohet të ketë vrarë dhjetëra persona, përfshirë fëmijë, dhe të ketë plagosur disa të tjerë.
Grupi sudanez për të drejtat e njeriut, Emergency Lawyers, që dokumenton krimet gjatë luftës mes ushtrisë së Sudanit dhe forcave paramilitare Rapid Support Forces (RSF), raportoi se sulmi ishte kryer nga një dron i ushtrisë që goditi spitalin El-Daein.
RSF kontrollon rajonin e gjerë perëndimor të Darfurit, ndërsa ushtria ka kontroll mbi lindjen, qendrën dhe veriun e Sudanit.
Sistemi i vëzhgimit të OBSH-së për sulmet ndaj shëndetësisë e shënoi incidentin e së premtes si “i konfirmuar”, por nuk dha një vendndodhje të saktë. Sulmi përfshiu “dhunë me armë të rënda” dhe preku një institucionin dytësor të kujdesit shëndetësor, stafin mjekësor, pacientët, furnizimet dhe magazinimin.
El-Daein, kryeqyteti i Darfurit Lindor i kontrolluar nga RSF, është sulmuar rregullisht nga ushtria, e cila po përpiqet të tërheqë paramilitarët drejt bazave të tyre në Darfur dhe larg korridorit qendror të Sudanit. Sulmi më i fundit i ushtrisë ndaj tregut të qytetit më herët këtë muaj shkaktoi zjarr, që dogji fuçitë me naftë për orë të tëra.
Sulmet me dron pothuajse çdo ditë janë tani një tipar i luftës brutale në Sudan, duke vrarë dhjetëra persona në të njëjtën kohë, kryesisht në rajonin jugor të Kordofanit.


