Të paktën 26 persona u vranë nga sulmet ajrore izraelite në një xhami dhe shkollë ku streohen palestinezët e zhvendosur brenda territorit, thotë ministria e Shëndetësisë së drejtuar nga Hamasi në Gaza, raporton BBC.
Dhjetëra njerëz u plagosën gjithashtu në sulmet që goditën shkollën Ibn Rushd dhe xhaminë në Deir al-Balah herët të dielën në mëngjes. Ushtria izraelite tha se kishte shënjestruar militantët e Hamasit që vepronin brenda qendrave të “komandimit dhe kontrollit” në këto zona.
Ushtria lëshoi gjithashtu zona të reja të mundshme evakuimi në veri dhe rihapi rrugët për në një zonë humanitare.
Sulmet e së dielës ndodhën një vit pas 7 tetorit 2023, kur persona të armatosur të Hamasit sulmuan Izraelin, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke marrë peng 251.
Që atëherë, 41,870 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 97,000 janë plagosur në Gaza, sipas ministrisë së shëndetësisë./abcnews.al