Presidenti amerikan Joe Biden dhe presidenti rus Vladimir Putin zhvilluan dy orë bisedime virtuale mbi Ukrainën dhe mosmarrëveshje të tjera të martën, mes frikës së Perëndimit se Moska është gati të sulmojë fqinjin e saj jugor.
Pamjet televizive ruse treguan presidentët Biden dhe Putin duke përshëndetur njëri-tjetrin në një mënyrë miqësore në fillimin e asaj që pritej të ishte një diskutim i tensionuar. Presidenti Biden i tha homologut të tij Putin se shpresonte se takimi i tyre i ardhshëm do të ishte ballë për ballë.
Shtëpia e Bardhë lëshoi një deklaratë duke thënë se bisedimet kishin filluar, por nuk publikoi asnjë fotografi nga dhoma e situatës ku ndodhej Presidenti Biden për videokonferencën.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, dy udhëheqësit biseduan për dy orë e një minutë.
Kremlini ka thënë se shpreson që të dy udhëheqësit të mund të zhvillojnë një takim ballë për ballë për të diskutuar atë që e ka përshkruar si gjendje e ‘mjerë’ e marrëdhënieve SHBA-Rusi, të cilat janë zhytur në nivelin më të ulët që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
Zyrtarët amerikanë thanë përpara videokonferencës se presidenti Biden do t’i thoshte Presidentit Putin se Rusia dhe bankat e saj mund të goditeshin me sanksionet më të ashpra ekonomike me të cilat janë ndeshur deri më tani nëse sulmon Ukrainën.
Ata thanë se sanksionet, për të cilat një burim tha se mund të synojnë bankat më të mëdha të Rusisë dhe aftësinë e Moskës për të kthyer rubla në dollarë dhe monedha të tjera, ishin krijuar për ta bindur Putinin të mos përdorte dhjetëra mijëra trupat e grumbulluara pranë kufirit ukrainas për të sulmuar fqinjin e tij jugor.
Kremlini, i cili tha para takimit të së martës se nuk priste ndonjë përparim, ka mohuar se ka pasur ndonjë qëllim për të sulmuar Ukrainën dhe ka thënë se grumbullimi i trupave të tij është thjesht mbrojtës.
Por Moska ka shprehur shqetësim në rritje për ndihmën ushtarake perëndimore për Ukrainën, një ish-republikë tjetër sovjetike që ka anuar drejt Perëndimit që kur një revoltë popullore rrëzoi një president pro-rus në vitin 2014, dhe atë që ajo e quan zgjerimi të qëllimshëm të NATO-s.
Moska gjithashtu ka vënë në pikëpyetje synimet e Ukrainës dhe tha se kërkon garanci që Kievi nuk do të përdorë forcën për të provuar të rimarrë territorin e humbur në 2014 nga separatistët e mbështetur nga Rusia, një skenar që Ukraina e ka përjashtuar.
“Ne po kërkojmë marrëdhënie të mira dhe të parashikueshme me Shtetet e Bashkuara. Rusia nuk ka pasur kurrë qëllim të sulmojë askënd, por ne kemi shqetësimet tona dhe kemi vijat tona të kuqe,” tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Udhëheqësit nga Britania, Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania dhe Italia do të mbajnë një telefonatë sot pas bisedimeve Biden-Putin, tha Shtëpia e Bardhë dhe zyra e kryeministrit britanik Boris Johnson.
Të njëjtët aleatë folën të hënën dhe “ranë dakord të qëndrojnë në kontakt të ngushtë për një qasje të koordinuar dhe gjithëpërfshirëse në përgjigje të grumbullimit ushtarak të Rusisë në kufijtë me Ukrainën”, tha Shtëpia e Bardhë.
Gjakftohtësi
Duke u bërë thirrje të gjithëve të mbajnë “gjakftohtësinë”, Peskov tha se ishte jetike që Putini dhe Bideni të flisnin duke pasur parasysh atë që ai e quajti përshkallëzim të jashtëzakonshëm të tensioneve në Evropë.
Rubla ruse u dobësua pak të martën, me disa analistë të tregut që parashikonin se bisedimet do të ulnin tensionet dhe të tjerë që thanë se kërcënimi i sanksioneve amerikane venit shpresat për të gjetur një gjuhë të përbashkët.
Më shumë sanksione nga BE-ja?
Shefja ekzekutive e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, i ofroi Ukrainës mbështetjen e plotë të BE-së të martën dhe tha se blloku do të shqyrtonte mundësinë e më shumë sanksioneve ndaj Rusisë.
Ukraina dhe fuqitë e NATO-s akuzojnë Rusinë për grumbullimin e trupave pranë kufirit, duke ngjallur frikën e një sulmi të mundshëm. Moska mohon çdo plan të tillë dhe akuzon Kievin për grumbullimin e forcave të veta në lindje të tij, ku separatistët e mbështetur nga Rusia kontrollojnë një pjesë të madhe të territorit ukrainas.
Shtetet e Bashkuara u kanë kërkuar të dy vendeve që të kthehen tek një sërë marrëveshjesh kryesisht të pazbatuara të nënshkruara në 2014 dhe 2015, të cilat ishin krijuar për t’i dhënë fund luftës në Ukrainën lindore.
“Bideni do ta bëjë të qartë se do të ketë kosto shumë reale nëse Rusia zgjedh të vazhdojë, por ai gjithashtu do të bëjë të qartë se ka një rrugë efektive përpara që lidhet me diplomacinë,” u tha gazetarëve administrata Biden.
Putini ka thënë se kërkon garanci ligjërisht të detyrueshme se NATO nuk do të zgjerohet më tej drejt lindjes dhe një zotim se disa lloje të armëve nuk do të vendosen në vendet pranë Rusisë, përfshi Ukrainën./VOA