Sulmi ndodhi në mes të ditës në qytetin e Pavlohradit, ndërsa autoritetet ukrainase thonë se mes të plagosurve janë edhe tetë fëmijë.
Pesë persona kanë humbur jetën dhe 67 të tjerë janë plagosur pas një sulmi me dron rus ndaj një qendre tregtare në qytetin e Pavlohradit, në rajonin ukrainas të Dnipropetrovskut.
Sulmi ndodhi gjatë ditës, në një moment kur zona ishte e mbushur me njerëz. Sipas ministrit të Brendshëm ukrainas, Ivan Vyhivskyi, nga sulmi u dëmtuan dyqane dhe automjete.
Guvernatori rajonal Oleksandr Hanzha bëri të ditur se mes 67 personave të plagosur janë edhe tetë fëmijë.
Pamjet e publikuara nga Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës tregojnë zjarrfikësit duke u përpjekur të shuajnë automjetet e përfshira nga flakët, ndërsa një pjesë e zonës është mbuluar nga tymi.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe akuzoi Rusinë se po përdor dronët për të goditur civilët.
“Rusët përdorën dronë për të vrarë njerëz që thjesht ndodheshin pranë qendrave tregtare”, tha Zelensky.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, e cilësoi sulmin si një “taktikë shtrëngimi”, duke argumentuar se Moska synon të lodhë popullsinë ukrainase përmes sulmeve të vazhdueshme ndaj civilëve.
Pavlohradi është një qendër e rëndësishme logjistike pranë qytetit të Dnipros dhe ka qenë edhe më parë objekt i sulmeve ruse. Muajin e kaluar, dy persona u vranë në një sulm ndaj magazinave në qytet.
Sulmi në Pavlohrad vjen pas një serie goditjesh ndaj qendrave tregtare në qytete të tjera ukrainase.
Në Sumy, një sulm me dron rus të mërkurën vrau dy persona dhe plagosi 20 të tjerë, sipas zyrtarëve ukrainas. Një ditë më pas, një bombardim ajror rus në të njëjtin qytet plagosi tetë persona, mes tyre tre fëmijë.
Në Zaporizhzhia, një qendër tregtare u shkatërrua pothuajse tërësisht nga një sulm të hënën. Objekti ishte i mbyllur në momentin e goditjes dhe nuk u raportuan viktima.
Ndërkohë, edhe Rusia ka raportuar sulme ukrainase në territorin e saj.
Autoritetet ruse thanë se gjatë natës së së mërkurës dronë detarë ukrainas sulmuan vijën bregdetare të Soçit, duke plagosur 28 persona, mes tyre dy fëmijë.
Në rajonin e Belgorodit, një tjetër sulm me dron ukrainas në qytetin Novy Oskol raportohet se vrau një person dhe plagosi gjashtë të tjerë.
Autoritetet ruse kanë raportuar gjithashtu viktima nga sulme të tjera ukrainase në zonat e kontrolluara nga Rusia në rajonin e Zaporizhzhias.
Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës vijon prej më shumë se katër vitesh e gjysmë,

