Të paktën 19 persona mbetën të vrarë në një sulm me bombë që ishte vendosur në një makinë në qytetin Manbij të Sirisë.
Ky është sulmi më vdekjeprurës në vendin e shkatërruar nga lufta civile, që nga rrëzimi i Bashar al-Assad nga pushteti në dhjetor të vitit 2024.
Deri tani asnjë grupim nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin në qytetin pranë kufirit turk.
Shërbimi i shpëtimit të mbrojtjes civile identifikoi të vdekurit si 18 gra dhe një burrë.
Viktimat ishin punëtorë të bujqësisë dhe numri i të vdekurve ka të ngjarë të rritet, tha një zyrtar i mbrojtjes civile për Reuters.
Gjatë luftës në Siri, qyteti i Manbij ka qenë në duart e grupimeve të ndryshme, derisa regjimi i Assad u rrëzua.
Të shtunën e 1 shkurtit një makinë ku ishte vendosur bombë në Manbij vrau katër civilë dhe plagosi nëntë të tjerë, përfshirë fëmijë, njoftoi agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA.
Assad u rrëzua nga pushteti më 8 dhjetor, pas një ofensive të papritur nga grupi islamik Hayat Tahrir al-Sham, lideri i të cilit, Ahmed al-Sharaa, u shpall president i përkohshëm i Sirisë./abcnews.al