Përgatiti: Abcnews.al
Tregu i kriptomonedhave nuk ka qenë ndonjëherë kaq keq. E kuqja mbizotëron kudo: Bitcoin dhe Ethereum janë në nivelet e tyre më të ulëta që nga viti 2020, dhe altcoinet si Dogecoin dhe Cardano po shkojnë edhe më keq. Ndërsa është e dhimbshme për investitorët e kriptove, kjo rënie nuk është aspak e pashembullt. Kriptovalutat janë famëkeqe për paqëndrueshmërinë e tyre dhe stuhia e tanishme po rrëzon jo vetëm kriptomonedhat, por edhe tregun e aksioneve.
Ajo që është e paprecedentë, megjithatë, është kolapsi i kriptomonedhës Luna dhe monedhës stabël TerraUSD (UST). Ju mund të mos keni dëgjuar më parë për UST ose të dini se çfarë është një monedhë stabël (stablecoin), por kjo ngjarje është shumë e madhe. Miliarda dollarë pasuri nga kriptot ka avulluar duke shkaktuar një tronditje të fortë për të gjithë tregun.
Bëhet fjalë për dy histori të ndërthurura: ajo e stablecoin-it UST dhe ajo e Luna-s, të cilat të dyja janë pjesë e blockchaini Terra. Monedha UST është projektuar për të mbajtur një vlerë prej një dollari amerikan në çdo kohë, por ra të hënën e kaluar, më 9 maj, dhe që atëherë ka rënë në vetëm 17 cent.
Më pas vjen Luna, bërthama ekosistemit të Terras. Vlera e saj ka rënë në mënyrë spektakolare, e vetmja në llojin e saj.
Çmimi i monedhës ra nga 116 dollarë në prill në vetëm një cent sëfundmi.
Një lëvizje e tillë është parë për memecoinët me kapital të vogël në të kaluarën, por asnjëherë për diçka në madhësinë e Lunës, e cila kishte një kapital tregu prej mbi 40 miliardë dollarësh vetëm muajin e kaluar, shkruan abcnews.al.
“Kjo është historike për tregjet e kriptove,” tha Mike Boroughs, bashkëthemelues i kompanisë së investimeve në kripto, Fortis Digital. “Ky është një moment përcaktues për hapësirën e kritomonedhave për shkak të madhësisë dhe ndikimit të saj për sa i përket numrit të njerëzve që humbën shuma të konsiderueshme.”
Çfarë është një monedhë stabël?
Për të kuptuar katastrofën e kriptove, së pari duhet të dini se çfarë është një stablecoin. Në thelb, është një kriptomonedhë që është e lidhur me një monedhë më të qëndrueshme. Monedhat më të mëdha të tilla janë Tether dhe USDC, të cilat si shumica e monedhave të qëndrueshme janë të lidhura me dollarin amerikan. Pra, nëse keni 1,000 USDC, për shembull, ato mund të shkëmbehen në çdo kohë për 1,000 dollarë amerikan.
Monedhat e qëndrueshme janë pjesë përbërëse e “DeFi” (financa e decentralizuar), e krijuar për të qenë një mënyrë mbrojtjeje për investitorët kundrejt paqëndrueshmërisë së tregut të kriptomonedhave.
Marrim të mireqenë se çmimi i Ethereum është 2,000 dollarë, një investitor mund të shkëmbejë një Ethereum për 2,000 USDC. Nëse nesër Ethereum bie me 50% në 1,000 dollarë, ato 2,000 USDC do të kishin ende vlerë 2,000 dollarë dhe mund të tregtohen për dy tokena Ethereum. Kur investitorët nuhasin një rënie, ata i vendosin paratë e tyre në monedha të qëndrueshme si Tether, USDC dhe, deri javën e kaluar në UST.
Monedhat stabël gjithashtu ofrojnë mjetet për huamarrjen në kriptomonedha, duke i bërë ato një teknologji themelore të DeFi.
Monedha TerraUSD (UST) është e ndryshme nga Tether dhe USDC në një mënyrë thelbësore. Tether dhe USDC mbështeten te dollari amerikan, ndërsa UST është ajo që njihet si një monedhë që ruan stabilitetin përmes algoritmit të decentralizuar.
Idea është që, nëpërmjet disa mekanizmave inteligjent si edhe miliardave në rezerva Bitcoini, stabiliteti i UST mund të mbahet pa pasur nevojë të mbështetet nga dollari amerikan. Të paktën kështu mendonin krijuesit e ekosistemit Terra deri para katastrofës.
“Një stablecoin i decentralizuar është Graali i Shenjtë i DeFi,” shpjegoi Cyrus Younessi, ish-Shef i Menaxhimit të Riskut në MakerDAO, grupi që qëndron pas stablecoin DAI.
“E mira e Bitcoin dhe Ethereum është se ato janë të vështira për t’u kontrolluar nga burokratët, politikanët dhe bankierët qendrorë, por dobësia e tyre është paqëndrueshmëria e çmimeve. Nëse ju arrini të mundësoni stabilitetin e tyre, atëherë kjo gjë është e madhe”, tha Younessi.
“Por kjo nuk është shumë e zbatueshme.”
Çfarë janë “Terra”, “Luna” dhe “UST”?
Terra është një blockchain, ashtu si Ethereum dhe Bitcoin. Ndërsa blockchaini Ethereum prodhon në mënyrë të vazhdueshme Ethereum, Terra prodhon Luna. Para rënies, Luna tregtohej me 85 dollarë.
Për të krijuar UST, sistemi duhet të ndjegë Luna. Kështu për shembull, javën e kaluar ju mund të shkëmbenit një Luna për 85 UST (pasi Luna vlente 85 dollarë), por Luna do të shkatërrohej (“digjej”) gjatë procesit. Ky protokoll deflacioni kishte për qëllim të siguronte rritjen afatgjatë të Luna-s. Ndërsa më shumë njerëz blejnë UST, më shumë Luna do të digjeshin, duke i rritur edhe më tej vlerën Luna-ve të mbetura.
Për të joshur tregtarët që të digjnin Luna për të krijuar UST, krijuesit e ekosistemit Terra ofruan interesa të çmendura prej 19,5% për ata që depozitonin këtë kriptomonedhë, ose siç quhet në gjuhën teknike “Stake”. Para rënies, mbi 70% e UST-ve, rreth 14 miliardë dollarë, ishte depozituar në këtë skemë.
Këtu është çelësi që shpjegon rënien e sistemit: 1 UST mund të këmbehet gjithmonë me Luna me vlerë 1$. Pra, nëse UST bie në 99 cent, investitorët mund të përfitojnë duke blerë një sasi të madhe UST dhe duke e shkëmbyer atë me Luna, duke përfituar një cent për njësi. Efekti funksionon në dy mënyra: njerëzit që blejnë UST rrisin çmimin, ndërkohë UST digjet gjatë shkëmbimit të tij me Luna duke stabilizuar kështu çmimin shkruan abcnews.al.
Pastaj janë rezervat në Bitcoin.
Themeluesi i Terra, Do Kwon krijoi Luna Foundation Guard (LFG), një konsorcium, detyra e të cilit është të mbrojë stabilitetin e UST. LFG kishte rreth 2.3 miliardë dollarë rezerva Bitcoin, me plane për ta zgjeruar atë në 10 miliardë dollarë dhe asete të tjera kriptomonedhash. Nëse UST binte nën 1 dollarë, rezervat e Bitcoin do të shiteshin dhe me të ardhurat do të bliheshin UST. Nëse UST shkonte mbi 1 $, krijuesit do ta shisnin UST derisa të kthehej në $1, me fitimin e mbetur do të blinin më tepër Bitcoin duke zgjeruar rezervat.
Gjithçka funksiononte mirë deri sa UST zbriti në 17 cent.
Çfarë shkoi keq?
Gjithçka filloi të shtunën, më 7 maj. Më shumë se 2 miliardë dollarë UST u tërhoqën nga depozitat (u hoq nga Protokolli i Ankorimit) dhe qindra miliona prej tyre u shitën menjëherë. Kjo korrespondoi me një periudhë të vështirë për tregun e kriptmonedhave për shkak të luftës në Ukrainë dhe rritjes së normave të interesit. Ka edhe të tjerë që flasin për një sulm të koordinuar ndaj ekosistemit Terra.
Shitje kaq të mëdha e çuan çmimin e UST në 91 cent. Investitorët u përpoqën të përfitonin nga kjo diferencë e madhe, duke shkëmbyer UST me vlerë 90 cent për Luna me vlerë 1 dollarë, deri sa u përballën me një pengesë të sistemit: Lejohej që brenda 24 orëve të mund të shkëmbeheshin vetëm 100 milion UST me Luna!
Investitorët, tashmë të shqetësuar, filluan të shisnin UST-të e tyre pasi monedha stabël nuk ishte më stabël. Ajo duhej të rrinte 1 USD, por zbriti. UST kishte një volum prej 18 miliard dollarësh para rënies, kurse tani ka zbritur në 2 miliard dollar.
Situata ishte edhe më dramatike për mbajtësit e Luna-s. Vlera e Luna-s është zhdukur pothuajse plotësisht: Pasi arriti një nivel më të lartë prej pak më pak se 120 dollarë në prill, çmimi aktual i Luna është një fraksion i një qindarkeje.
Sulm?
Disa kanë spekuluar se një “balenë” (personat që kanë investime të mëdha në kriptovaluta) ose disa prej tyre u përpoq të thyenin UST-në në mënyrë që të përfitonin nga veprimi “short” në Bitcoin, -domethënë, duke vënë bast se çmimi i Bitcoinit do të ulej.
Sipas atyre që pretendojnë se bëhet fjalë për një sulm, skema ishte e tillë: Nëse sulmuesit e mundshëm shisnin menjëherë 2 miliardë UST në të njëjtën kohë, ky veprim mund të zhvlerësonte UST, që do të thoshte se ekipi i Terra-s do të duhej të shiste pjesë të rezervës së Bitcoin për të rikthyer monedhën në 1 USD. Sapo investitorët të shihnin se UST humbi vlerën e saj, ata më pas do të nxitonin të shisnin edhe më tepër UST, gjë që do të kërkonte më shumë rezerva Bitcoin për t’u shitur, duke shtuar presionin e mëtejshëm të shitjes dhe rrjedhimisht të vijonte rënia.
Në këtë mënyrë, ata që në fillim “vunë bast” se do të ulej çmimi i Bitcoini duke e vënë “short” tashmë kishin siguruar fitime të mëdha.
Kjo është ende spekulim, por në fakt gjërat kështu ndodhën, shkruan abcnews.al.
Younessi nuk është i sigurt nëse rënia u shkaktua nga një sulm i koordinuar apo jo, por tha se përgjegjësia është mbi zhvilluesit e kriptove për të krijuar sisteme më të sigurta.
“Detyra jonë si ndërtues DeFi është të ndërtojmë sisteme që janë rezistente ndaj situatave të tilla,” tha ai.
Pse ka rendesi siguria?
Kjo ka rëndësi për tre arsye.
Së pari, mbi 15 miliardë dollarë në vlerën e kriptove janë shkrirë vetëm përmes Luna dhe UST. Ka pasur raporte se njerëz të ndryshem kanë vrarë veten pas shkatërrimit të Luna-s. Edhe pse këto të dhëna nuk mund të konfirmohen, është e qartë se shumë njerëz shumë para të madhe nga kolapsi i ekosistemit Terra.
Dëmi është përhapur edhe në monedha të tjera krahas atyre që ishin të ekspozuar ndaj këtij ekosistemi.
Së dyti, kjo që ndodhi ngre pyetje në lidhje me monedhat e tjera stabël. Përsëri, UST ishte monedhë stabël e pazakontë për mënyrën se si ruante çmimin 1 USD. Por stabiliteti i këtyre monedhave ka qenë gjithmonë disi në dyshim: Për shembull, Prokurori i Përgjithshëm i Nju Jorkut vitin e kaluar e akuzoi Tetherin, (një tjetër monedha stabël) se kishte gënjyer se sa i kishte në të vërtetë rezervat në dollar, shkruan abcnews.al.
Boroughs është i shqetësuar pasi sipas tij se nëse UST sulmohej, lojëra të ngjashme mund të bëheshin edhe kundër të tjerëve.
“Në mendjet tona shtrohet pyetja, a mund të përhapet ajo që ndodhi me UST në monedhat e tjera të qëndrueshme?” tha ai.
Së fundmi dhe ndoshta më e rëndësishmja, kolapsi i UST ka tërhequr vëmendjen e politikanëve dhe rregullatorëve të fuqishëm. Sekretarja e Thesarit Janet Yellen tha të martën se depeggimi i UST “thjesht ilustron se ky [stablecoin] është një konfirmim se çdo rritje e shpejtë ka rreziqe të mëdha”. /abcnews.al