Pritja e ngrohtë që iu bë Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo në Pragë javën e kaluar pasqyron investimet e mirëpritura amerikane në vend dhe vlerat e përbashkëta demokratike. Mangësitë në të dyja këto aspekte, ndërkohë, shihen si faktorë që kontribuojnë në dobësimin e marrëdhënieve dikur premtuese mes Pragës dhe Pekinit.
Vetëm disa vjet më parë, marrëdhëniet mes Pekinit dhe Pragës ishin shumë premtuese, të shoqëruara nga vizita të shpeshta të krerëve të shteteve në kryeqytetet e njëri-tjetrit. Kur Xi Jinping arriti në Pragë në mars të vitit 2016, ai u përshëndet me 21 të shtëna topi dhe një mikpritje të menduar mirë.
Në kulmin e marrëdhënieve midis dy qeverive, Ye Jianming, kreu i operacioneve të investimeve kineze në Pragë, kishte një zyrë në kompleksin presidencial të Republikës Çeke. Por marrëdhënia u rrënua kur Ju u largua nga vendi në mes të një skandali ndërkombëtar të profilit të lartë, duke lënë kompanitë çeke me borxhe të mëdha që ato pretendojnë se ai nuk i kishte paguar.
Javën e kaluar, duke folur së bashku me Sekretarin e Shtetit Pompeo, Kryeministri çek Andrej Babis u ankua se kinezët “nuk kishin investuar në Republikën Çeke në mënyrën siç e kisha menduar se do të investonin”.
Në dallim nga kinezët, tha ai “rreth 2,500 investitorë amerikanë që janë këtu në Republikën Çeke kanë punësuar më shumë se 55,000 njerëz.”
Ambasadori çek në Uashington Hynek Kmonicek, shpjegoi më tej zhgënjimin e Republikës Çeke me Kinën në një përgjigje me shkrim të dërguar ndaj pyetjeve të Zërit të Amerikës.
“Investimet kineze në Republikën Çeke aktualisht nuk janë domethënëse, megjithatë ato janë diskutuar shumë”, shkruan ambasadori Kmonicek. “Shqyrtimi i investimeve në të ardhmen do të jetë një temë e rëndësishme, dhe për këtë ne do të punojmë ngushtë me aleatët tanë amerikanë”.
Ambasadori Kmonicek tha se Republika Çeke dhe Shtetet e Bashkuara vlerësojnë “parimet e demokracisë dhe të drejtat e njeriut”, që ai i quajti “një nga shtyllat” e politikës së jashtme të vendit të tij. Trashëgimia e Vaclav Havelit, disidentit që udhëhoqi lëvizjen antikomuniste dhe u bë presidenti i parë i zgjedhur i vendit, mbetet “jetik” kur bëhet fjalë për “vetë-përcaktimin e Republikës Çeke”, tha ambasadori.
Kjo ndjenjë u theksua në konferencën e përbashkët për shtyp të Sekretarit Pompeo me Kryeministrin Babis, i cili shprehu shqetësimin për zhvillimet në Bjellorusinë fqinje, ku protestuesit kanë vërshuar në rrugë për ditë me radhë duke protestuar kundër asaj që ata e shohin si një rizgjedhje mashtruese të Presidentit të kahershëm, Aleksandër Lukashenko.
“Nuk mund ta imagjinoja që diçka e tillë do të mund të ndodhte në Evropë, kaq afër nesh”, tha Kryeministri Babis. Ai i bëri thirrje Bashkimit Evropian të marrë masa konkrete për t’u siguruar që “bjellorusët kanë të drejtën të jenë të lirë si ne.”
Në anën tjetër, Kina duket se po e mbështet Lukashenkon, që është cilësuar si diktatori i fundit i Evropës. Imazhet e protestave që dukeshin se ishintransmentuar në Televizionin Qendror të Kinës (CCTV) të kontrolluar nga shteti këtë javë, u cilësuan si një shprehje e mbështetjes për Lukashenkon.
Incidenti shkaktoi një zemërim në median sociale në gjuhën kineze. Një komentuese e famshme postoi klipin e kanalit CCTV në Twitter, duke përshkruar reagimin e saj si e mbetur “pa fjalë”.
Ndërkohë, gazeta Global Times e kontrolluar nga Partia Komuniste, u ankua se evropianët e kanë braktisur Kinën përkundër asaj që ajo ka bërë për kontinentin. Autori u bëri thirrje vendeve të Evropës që të refuzojnë të jenë “ushtarë diplomatikë dhe vasalë strategjikë” të Amerikës.
I pyetur të komentojë për nocionin se Shtetet e Bashkuara po përdorin çekët për të avancuar qëllimet e tyre, ambasadori Kmonicek tha se “deklarata e vetme e këtij lloji që ne kemi dëgjuar ka ardhur nga kryetari i Partisë Komuniste çeke”.
30 vjet më parë, populli iÇekosllovakisë së atëhershme rrëzoi komunistët nga pushteti ndërsa po shpërbëhej perandoria sovjetike. Partia komuniste që ekziston ende në Çeki nuk ka asnjë vend në senat dhe numri i tyre në dhomën e ulët të parlamentit është zvogëluar vitet e fundit./Voa