Suedia rihap hetimet kundër themeluesit të Wikileaks

schedule14:37 - 13 Maj, 2019

schedule 14:37 - 13 Maj, 2019

Prokuroria e Suedisë rihap hetimet ndaj themeluesit të Wikileaks Julian Asanzh. Ai akuzohet për përdhunim dhe krime të tjera seksuale ndaj dy grave. Stokholmi, shumë shpejt mund të kërkojë ekstradimin e tij.

Telashe të reja për Julian Asanzh. Prokuroria suedeze ka hapur sot hetimet për akuzat për përdhunim kundër themeluesit të Wikileaks. Asanzh ndodhet në gjendje arresti në Mbretërinë e Bashkuar që nga 11 Prilli pas dëbimit nga ambasada e Ekuadorit në Londër, e cila i anuloi të drejtën për azil politik. Asanzh qëndron në burg pasi ka shkelur rregullat e lirisë me kusht duke u strehuar 7 vjet më parë në selinë diplomatike ekuadoriane.

Ai është dënuar me 50 javë burg. Asanzh është akuzuar për përdhunim dhe krime të tjera seksuale nga dy gra pas një konferencë për Wikileaks në Stokolm në vitin 2010. Themeluesi i Wikileaks ka mohuar gjithnjë akuzat, duke thënë se marrëdhënie seksuale me të dyja gratë, kishte ndodhur me pëlqimin e të dyja palëve. Deri tani ai ka shmangur ekstradimin në Suedi pasi u strehua në ambasadën e Ekuadorit në Londër në vitin 2012.

Çështja kundër tij në Suedi ishte mbyllur pasi ishte e pamundur që të merrej në pyetje, ndërsa ndodhej në ambasadën e Ekuadorit në kryeqytetin britanik. Tashmë Suedia mund t’i bashkohet Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ekstradimin e tij. SHBA ka që në vitin 2010 që kërkon arrestimin e Asanzh, pasi Wikileaks publikoi një sërë dokumentesh sekrete të Pentagonit dhe institucioneve të tjera amerikane. Autoritetet amerikane e akuzojnë për bashkëpunim në pirateri informatike së bashku me Çelsi Mening./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!