Suedia dhe Çekia siguaruan biletën për në finalet e “Botërorit 2026”, pasi fituan finalet e tyre në fazën e play off në zonën europiane. Skandinavët kaluan me vështirësi 3-2 Poloninë, e cila vetëm pesë ditë më parë kishte shuajtur ëndrrat e Shqipërisë.
Sfida e luajtur në Solna ishte emocionuese me tre gola që në pjesën e parë. Elanga kaloi vendasit në epërsi në minutën 19-të. Polakët barazuan me Zalevskin, por përpara pushimit Lagerbilke ndezi edhe një herë festën e të zotëve të shtëpisë.
Në pjesën e dytë, Sviderski ktheu sërish ekuilibrat në rezultat, por vetëm dy minuta nga fundi i kohës së rregullt, Gyokeres shënoi golin e tretë dhe atë të kualifikimit të Suedisë në finalet e Kupës së Botës.
Më dramatik ishte triumfi I Çekisë, që kaloi Danimarkën vetëm pas goditjes së penalltive. Goli i shpejt i Sulc për vendasit dhe ai i barazimit për danezët i shënuar nga Andersen në minutën e 72-të vendosën kohën e rregullt.
Në shtesë, çekët shënuan sërish të parët me Krejci, por Hog barazoi edhe një herë, ndërsa kualifikikimi do të vendosej nga goditjet e 11 metërshave. Futbollistët e Çekisë u treguan më të saktë, duke siguruar biletën për në finalet e “Botërorin 2026”./abcnews.al


