Në Suedi tashmë të gjithë emigrantët dhe azilkërkuesit duhet të mësojnë rregullat bazë sociale dhe kulturore perëndimore që parashikojnë barazinë mes burrit dhe gruas, ndalimin e poligamisë, dhunën në familje, martesat me shkuesi dhe të gjitha ato sjellje që në përgjithësi lidhen me mbrojtjen e nderit.
Bëhet fjalë për një kthesë në politikën emigruese suedeze, pasi një vit më parë qeveria pranoi dështimin e integrimit. Programi i krijuar këto ditë nga ekzekutivi suedez konkretizohet në një ditë të detyrueshme të të qenurit pjesë e jetës së përditshme, që duhet kryer gjatë periudhës së qëndrimit në territorin kombëtar .
Të gjithë azilkërkuesit do të vihen në dijeni të të drejtave që kanë por dhe të detyrimeve që duhet të përmbushin patjetër, në mënyrë që të jetojnë në një vend europian. Sipas ministrit suedez të drejtësisë, vendimi konsiderohet si fillimi i zinxhirit për integrimin.
Objektivi është shmangja e getove multi kulturore që janë krijuar në disa qytete, integrimi në shoqërinë suedeze parashikon dhe informacione për procedurat e azilit, ligjeve në fuqi, demokracisë dhe normave dhe vlerave që mbizotërojnë në vend.
Shpresa e qeverisë është e dyfishtë, nga njëra anë të ndihmojë në integrimin kulturor të emigrantëve të fesë myslimane dhe nga ana tjetër të zhvlerësojnë qasjet raciste dhe islamofobe që në shoqërinë suedeze po ushqejnë rritjen e partive të ekstremit të djathtë.
Pak muaj më para kryeministri i vendit pranoi se integrimi kishte dështuar, duke parë tensionet në shoqëri. Ndaj dhe u bë i domosdoshëm përqendrimi tek integrimi kulturor./abcnews.al