Suedi, shmanget sulmi terrorist

schedule15:40 - 13 Dhjetor, 2018

schedule 15:40 - 13 Dhjetor, 2018

Pas sulmit terrorist në Strasburg, autoritetet në Suedi kanë shmangur një atentat të ngjashëm. Policia arrestoi në kohë organizatorin dhe sekuestroi një arsenal armësh. Mediat lokale kanë folur për një lidhje të të arrestuarit me sulmin në Francë, por autoritetet nuk e kanë konfirmuar.

Autoritetet e sigurisë në Suedi deklaruan të enjten se kanë shmangur një atentat terrorist duke arrestuar personin e dyshuar për përgatitjen e tij. Struktura e posacme policore për sigurinë, SAPO, deklaroi se agjentët kanë kryer një seri aksionesh në perëndim të Suedisë, pas informacioneve të shumta që flisnin për një rrezik potencial.

Sipas burimit, persona të shumtë janë ndaluar për t’u marrë në pyetje në lidhje me të dyshuarin kryesor, si dhe një arsenal armësh është sekuestruar. Për personin të cilit i atribuohet përgjegjësia për atentatin e mbetur në tentativë autoritetet thonë se ka lidhje me elementë në vende të tjera të Europës.

Një zëdhënës refuzoi të saktësonte se për cilat vende bëhet fjalë, por nënvizoi se aksioni i policisë nuk ka lidhje me sulmin e armatosur të ndodhur të martën në tregun e Krishtlindjes në Strasburg, ku tre persona mbetën të vrarë dhe shumë të tjerë të plagosur.

Qeveria në Suedi e ka mbajtur nivelin e rrezikut për atentate terroriste të lartë, në shkallën e tretë, nga 5 që shënon rrezikun maksimal. Kuota në fjalë hyri në fuqi vitin e kaluar kur një azilkërkues nga Uzbekistani vërshoi me kamion ndaj një grupi kalimtarësh në Stokolm, duke vrarë 5 persona./abcnews.al