Suedi/ Bandat u vënë zjarrin 80 makinave, autoritetet: Akt kriminal

schedule19:48 - 14 Gusht, 2018

schedule 19:48 - 14 Gusht, 2018

Banda të ndryshme në Suedi kanë bashkuar forcat dhe përmes sulmeve të koordinuara u kanë vënë flakën 80 automjeteve, disa prej të cilave në kryeqytetin Stokholm. I shqetësuar nga ky akt, kryeministri i vendit ka deklaruar se bëhet fjalë për një sulm të organizuar me rregull ushtarak.

Disa dhjetëra makinave u është vënë zjarri në orët e para të mëngjesit të së martës në Suedi, episod të cilin policia vendase e ka cilësuar një “aksion kriminal të organizuar”. Deri në 80 automjete kanë mbetur të dëmtuara nga zjarret e vendosura nga banda të rinjsh të maskuar. Shumica e dëmeve u verifikua në qytetin perëndimor Goteborg, por incidente të ngjashme u raportuan edhe në qytete të tjera. “Duket një sulm shumë i koordinuar, ngjason me një aksion ushtarak”, ka komentuar kryeministri Stefan Lofven, i cili ka premtuar se shteti do të reagojë. Qytetet e tjera ku pati djegie të makinave janë Trollhatan, në veri të Goteborgut, dhe Flakenberg, në jug. Edhe në kryeqytetin Stokholm makinat që u përfshin nga flakët nuk ishin të pakta, por nuk dihet nëse rastet kanë qenë të lidhura me zjarret në perëndim të Suedisë. Personat e maskuar thyen xhamat e automjeteve dhe më pas hodhën brenda bomba molotov. Ata gjithashtu hodhën gurë ndaj forcave të policisë që u përpoqën t’i ndalonin. Për fat të mirë, përveç dëmeve materiale nuk ka patur lëndime në njerëz. Policia ka deklaruar ndërkohë se ka identifikuar disa të rinj që në momentin e zjarrit ndodheshin në ato zona dhe ka folur me prindërit e tyre, por nuk kanë dhënë detaje të tjera. Për momentin nuk dihen motivet e këtij veprimi, që ngjan me ato të protestave të verifikuara në Stokholm në maj të vitit 2013. /abcnews.al