Suedezët preferojnë Shëngjergjin/ Të mahnitur nga bukuritë e veçanta të fshatit turistik të Tiranës

schedule15:59 - 29 Qershor, 2024

schedule 15:59 - 29 Qershor, 2024

Kemi lënë pas Tiranën e zhurmshme dhe jemi nisur drejt një destinacioni, ndër më të frekuentuarit për të gjithë ata që duan fshatin dhe natyrën.  Po shkojmë në Shëngjergj, fshati më piktoresk i malësisë së Tiranës. Le ta zbulojmë së bashku….

Shëngjergji është 35 km larg nga Tirana. Sapo lë pas malin e Dajtit, rruga që të çon atje shtrihet mes një relievi të bukur malor.

Pasi ke përshkuar rreth 22 km nga kryqyteti, zakonisht bëhet ndalesa e parë, për të gjithë ata që duan të eksplorojnë më shumë natyrën.

Pasi kemi bërë disa minuta udhëtim, pa mbërritur ende në fshat, ndodhet ujëvara e Shëngjergjit. Për të shkuar atje na duhet të lëmë makinën, pasi rruga është e aksesueshme vetëm në këmbë.

Temperaturat janë tepër të lartë në këtë fund qershori, por kjo nuk i pengon vizitorët të zbulojnë ujëvarën dhe bukuritë natyrore të rrugës që të çon atje.

Herë pas here shkëmbehemi me vizitorë, ndërsa ndjekim rrugën mes një bimësie dhe pylli të dendur.

Na u desh të bënim të paktën 20 minuta rrugë në këmbë dhe ja ku kemi mbërritur tek ujëvara, pamja e së cilës është fantastike.

Ujëvara buron nga mali me Gropa dhe formon një nga degët e lumit Erzen. Ajo ka një lartësi prej 30 metrash, duke ofruar një pamje mbresëlënëse.

Pasi largohemi nga ujëvara nisemi në drejtim të Shëngjergjit, na kanë mbetur vetëm pak kilometra.

Në qendër të fshatit përveç banorëve të zonës, të cilët konsumojnë kafe me njëri tjetrin, apo bëjnë blerjet në dyqanet përreth, gjejmë edhe këtë suedeze.

“Do të qëndrojmë një javë ketu. Kam ardhur me bashkëshortin dhe dy fëmijët. Është fshat i bukur për ta eksploruar dhe ecur. Kemi vizituat dhe ujëvarën, ishte fantastike. Ushqimi këtu është i mire dhe shumë ndryshe nga Suedia”.

Pak metra më tej në një bujtinë janë të akomoduar të tjerë suedezë. Na thonë se janë familje e madhe dhe kanë disa ditë që qëndrojnë në Shëngjergj.

“Po shijojmë malet dhe gjelbërimin. Edhe bujtina ku po qëndrojmë është e bukur, ka pishine dhe fëmijët mund të notojnë dhe luajnë. Kemi ardhur bashke me familjen tone te madhe. Po na pëlqen shume ushqimi, sidomos byreku”.

“Më pëlqen Shqipëria, është vend i vogël. Nuk qëndruam në Tiranë, zgjodhëm fshatin është shumë mirë këtu. Njerëzit janë shumë miqësorë.”

Shëngjergji është pjesë e 100 fshatrave turistike dhe vitet e fundit janë bërë disa investime. Kryetari i njësisë administrative, na tregon se numri i të huajve që vizitojnë zonën është rritur ndjeshëm.

“Vitin e kaluar patëm 8 mijë vizitorë në zonë”.

Të nevojshme janë investime të tjera për të zhvilluar më shumë turizmin në zonë, çka do të sillte mundësi më të mëdha ekonomike për banorët që deri më sot të ardhurat i kanë siguruar vetëm nga bujqësia dhe blegtoria.

“Duhen më shumë rrugë dhe të rregullohet problem me energjinë elektrike. Shëngjergji është i njohur për domaten cilësore, më shumë turistë sjellin mundësi për banorët që të gjithë produktet i shesin në zonë”.

Dikur zona e Shëngjergjit njihej si krahina e Tomadhesë. Dëshmitë e historisë së vjetër të zonës ndodhen pak kilometra nga qendra e fshatit.

Jemi në pikën më të lartë të fshatin, i njohur si ballkoni i Shëngjergjit. Dikur këtu është ngritur shkolla e parë shqipe legale në zonën e Tiranës, ku kanë mbetur vetëm rrënojat e saj.

Tashmë mbi atë majë shkëmbi, kur dikur ekzistonte një shkollë mund të shijohet me sy të lirë e gjithë pamja e Shëngjergjit dhe fshatrave përreth.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!