Sudan, nuk ka përparim në negociatat që po zhvillohen në Arabinë Saudite

schedule12:01 - 8 Maj, 2023

schedule 12:01 - 8 Maj, 2023

Deri më tani nuk është bërë asnjë përparim në bisedimet që po zhvillohen në Arabinë Saudite midis ushtrisë dhe forcave paramilitare, sipas një zyrtari saudit.

Shefi i ushtrisë sudane, gjenerali Abdel Fattah al- Burhan dhe rivali i tij Mohamed Hamdan Dagalo, kreu i Forcave Paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF ), dërguan të dërguarit e tyre në Xhedda të shtunën për të marrë pjesë në negociatat, të cilat u përshkruan si paraprake nga SHBA dhe Arabia Saudite.

Synim është arritja e një armëpushimi, lehtësimi i shpërndarjes së ndihmës humanitare, rivendosja e shërbimeve thelbësore dhe vendosja e një “kalimi për negociata të zgjeruara” për t’i dhënë fund përfundimisht konfliktit, tha Ministria e Jashtme saudite në një deklaratë sot.

Të dy palët ndërluftuese filluan të diskutojnë masat e sigurisë që do të ndërmerren për të lehtësuar aksesin e menjëhershëm të ndihmës humanitare dhe rivendosjen e shërbimeve bazë, thuhet në deklaratë.

Një diplomat saudit tha, duke folur në kushte anonimiteti, se “asnjë përparim i rëndësishëm nuk është bërë deri më tani”.

“Armëpushimi i përhershëm nuk është në rendin e ditës. Secila palë beson se mund ta fitojë betejën”, theksoi ai.

Shefi humanitar i OKB-së Martin Griffiths mbërriti në Jeddah të dielën për të diskutuar ” çështjet humanitare në lidhje me Sudanin”, sipas zëdhënësit të tij. “Ai kërkoi të ishte pjesë e negociatave, por kërkesa e tij nuk është pranuar ende, vuri në dukje një zyrtar tjetër i OKB-së.

Që nga fillimi i konfliktit në Sudan më 15 prill, palët ndërluftuese kanë rënë dakord në mënyrë të përsëritur për armëpushim, por të gjitha u shkelën disa minuta pasi u shpallën. Rreth 700 persona kanë humbur jetën në luftime, sipas një organizate joqeveritare.

OKB-ja, nga ana e saj, ka folur për 335,000 persona të zhvendosur dhe 117,000 refugjatë. Arabia Saudite luajti një rol të madh në operacionin për largimin e të huajve nga Sudani, duke evakuuar mijëra civilë nga Port Sudan në Jeddah.

Ditën e djeshme, Mbreti Salman i Arabisë Saudite dhe Princi i Kurorës Mohammed bin Salman miratuan 100 milionë dollarë për të ofruar ndihmë mjekësore dhe mbështetje për njerëzit e zhvendosur në Sudan, njoftoi agjencia zyrtare e lajmeve saudite SPA.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!