Reshjet e shiut dhe stuhitë të shtunën përfshinë të gjithë vendin duke shkaktuar probleme në shumë qytete. Në Tiranë era e fortë rrëzoi çadra të lokaleve dhe pemë. Në disa zona rrëzimi i tyre dëmtoi automjete.
Sendet e rëna nga pallatet për shkak të erës së fortë lënduan 23 persona të cilët kërkuan ndihmë mjekësore në spitalin e Traumës. Në aeroportin “Nënë Tereza”, për rreth 30 minuta ne mesditë, u pezulluan operacionet në pistë.
Dy fluturime drejt Italisë dhe Gjermanisë u anuluan. Nisjet në shumë prej destinacioneve të tjera u vonuan.
Në Durrës plazhet u boshatisën ndërsa shumë rrugë u mbushën me ujë. Uji mbuloi dhe disa rrugë në Lezhë duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve.
Për shkak të erës, në Vlorë stuhia e rërës mbuloi qytetin ndërsa peshkarexhat nuk dolën në det. Më pas reshjet e shiut larguan pluhurin, por përmbytën rrugët.
Lëvizja e automjeteve u vështirësua ndërsa hyrja e qytetit u bllokua për kalimin e automjeteve. Uji u fut dhe në oborret e 15 banesave. Në Zvërnec pemët e rrëzuara zunë rrugën kryesore, duke lënë të bllokuar në automjete për pak kohë disa turistë.
Në Qarkun e Fierit stuhia dëmtoi linja të furnizimit me energji elektrike në Mallakastër, Cakran, Frakull dhe vijën bregdetare Darëzezë –Seman duke lënë pa drita disa zona. Dëmet u riparuan dhe energjia u rikthye.
Vërshimi i ujit bllokoi përkohësisht lëvizjen e makinave në rrugët Fier-Patos, Fier-Lushnje në afërsi të Mbrostarit dhe segmentin Fier-Rroskovec.
Në Lushnje dhe përgjatë autostradës Levan-Tepelenë u rrëzuan disa pemë, por nuk shkaktuan dëme. Në Pogradec stuhia e fortë dhe dallgezimi ne det detyroi një traget turistesh që po udhëtonte nga Shen Naumi drejt Ohrit, të kalojë për pak minuta nga ujërat territorial të Maqedonisë së Veriut në ato të Shqipërisë.
Deri të dielën meteorologët parashikojnë reshje mesatare deri intensive në shumë prej zonave të vendit dhe temperatura që pritet të mos i kalojnë 26 gradë Celcius.
Policia e Shtetit i ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve të ngadalësojnë shpejtësinë dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor ndërsa këmbësorëve të bëjnë kujdes nga sende që mund të bien nga lartësitë për shkak të erës që herë pas herë fryn me intensitet./abcnews.al

