Të paktën pesë persona kanë vdekur pasi stuhia Babette ka shkaktuar përmbytje shkatërruese në disa pjesë të Britanisë, ndërsa parashikimi për reshje të dendura shiu gjatë ditëve të ardhshme po ngre shqetësime për përmbytje të mëtejshme.
Policia e Skocisë njoftoi sot se një burrë është gjetur i vdekur në një makinë në zonën e Aberdeen. Kjo është viktima e tretë e motit të keq në Skoci, ndërsa dy persona të tjerë kanë vdekur në Angli.
Mijëra shtëpi u përmbyten dhe qindra njerëz kanë mbetur të pastrehë. Gjatë vizitës së saj në Retford, një nga zonat e prekura, Ministrja e Mjedisit Therese Coffey tha për Sky News se disa njerëz duhen të presin disa muaj para se të mund të kthehen në shtëpitë e tyre.
Pas stuhisë Babette, autoritetet lëshuan sot paralajmërime të reja për përmbytje për rreth 100 zona, veçanërisht në qarqet Derbyshire dhe Nottinghamshire të Anglisë, ku disa lumenj janë ngritur në nivelet e tyre më të larta që nga viti 2007. Sipas ekspertëve rreziku për përmbytje mbetet deri të mërkurën.