Studiuesi zviceran paralajmëron Covid-22: Variant më ngjitës dhe mposht vaksinat  

schedule21:25 - 24 Gusht, 2021

schedule 21:25 - 24 Gusht, 2021

Një studiues në institutin federal të teknologjisë ETH Zurich ka paralajmëruar për shfaqjen e mundshme të një “super varianti” të ri të koronavirusit që mund të kombinojë llojet ekzistuese.

“Ka shumë të ngjarë që të shfaqet një variant i ri dhe që ne nuk do të jemi më në gjendje të mbështetemi vetëm në vaksinimet,” tha imunologu Sai Reddy për gazetën SonntagsBlick.

Një variant i tillë i ri do të arrinte patjetër në Zvicër, tha Reddy, i cili punon si profesor i asociuar në Departamentin e Shkencës dhe Inxhinierisë së Biosistemeve të institutit federal të teknologjisë ETH Cyrih në Bazel.

“Kjo është arsyeja pse ne duhet të përgatitemi për disa vaksina gjatë viteve të ardhshme, të cilat do të përshtaten vazhdimisht me variantet e reja,” tha shkencëtari 40-vjeçar për gazetën.

Ai vuri në dukje variantet e koronavirusit nga Afrika e Jugut (Beta) dhe Brazili (Gamma) që kanë pësuar mutacion, duke i lejuar ata që të shmangin pjesërisht antitrupat. Delta, nga ana tjetër, është shumë më ngjitëse, por ende nuk ka zhvilluar mutacione të tilla.

“Nëse Beta ose Gamma bëhen më ngjitëse, ose nëse Delta zhvillon mutacione, atëherë mund të flasim për një fazë të re të pandemisë,” tha Reddy.

“Ky do të bëhet problemi i madh i vitit të ardhshëm. Covid-22 mund të jetë i më keq se ajo që po përjetojmë tani, ” shtoi ai.

Ai vuri në dukje se studimet e fundit shkencore tregojnë se ngarkesa virale e variantit Delta është aq e lartë sa që çdo person i pavaksinuar që bie në kontakt me të mund të bëhet një “super-përhapës”.

“Meqenëse fëmijët nën 12 vjeç nuk mund të vaksinohen, ata përfaqësojnë një grup të madh të super-përhapësve të mundshëm”  tha Reddy.

Varianti Delta mund të mposhtë pjesërisht vaksinat për shkak të ngarkesës së tij shumë të lartë virale, vuri në dukje ai. “Ne duhet ta kundërshtojmë këtë me një nivel të lartë të antitrupave, dhe kjo është pikërisht ajo që bën një dozë e tretë përforcuese e vaksinës,”  tha imunologu. g.v/abcnews.al