Studiuesi Spiro Mëhilli: Kinemaja, si e shkatërruam “dritaren kulturore” që vinte nga bota

schedule23:00 - 15 Dhjetor, 2021

schedule 23:00 - 15 Dhjetor, 2021

“Tashmë që shumë objekte në Tiranë nuk janë më, duket sikur gjithçka ka përfunduar vetëm në mundësinë e një emigrimi në kujtime, por jo nëpër lagje apo godina që përmbajnë historitë”, u shpreh studiuesi Spiro Mëhilli i ftuar në “Refleksione” në ABC.

Duke mbështetur konceptin e studiuesit Aurel Plasari lidhur me rëndësinë e së shkuarës së objekteve të një qyteti,  studiuesi i apasionuar pas kinemasë, apo “Artit të Shtatë”, ka theksuar se kujtesa e një populli lidhet shpesh me kujtesën e vendeve. Një nga humbjet që ka veçuar Plasari dhe Mëhilli është  edhe zhdukja e kinemave, të cilat kanë qenë aq të përhapura në kohën e Mbretit Zog, por që u zhdukën me ardhjen e diktaturës komuniste e më pas edhe në këto tridhjetë vite në sistemin e ndryshuar politik.

“Duke prishur vendet dhe godinat është goditur dhe kujtesa historike dhe kulturore”, tha Mëhilli.

Studiuesi  i diplomuar në mjekësi ushtarake, në radiologji, por i lidhur familjarisht me kinemanë, për shkak se babai dhe xhaxhai punonin në këtë fushë, ka sjellë jetën kulturore që nisi të lulëzonte pas vitit 1925 në Tiranë, kur pati një dyndje të intelektualëve të kohës, ku nisën hapja e rrugëve dhe ndërtesave moderne, ku përfshihen dhe kinematë.

“Në atë kohë kinemaja ishte shumë e rëndësishme pasi na lidhte me botën”, shprehet Mëhilli.

Sipas tij, deri në vitin 1939 ne kishim mbi 440 studentë shqiptarë që studionin jashtë, në Vjenë, Romë, Stamboll, Selanik dhe që ishin një lidhje shumë e rëndësishme me kulturën dhe që kontribuan në një zhvillim të rëndësishëm kulturor.

“Më vjen keq që brezi i ri, pas këtyre shkatërrimeve, nuk e njeh Tiranën  si ka qenë. Por Tirana në atë periudhë ziente nga debati, ndaj dhe unë u shtyva të shkruaj për Tiranën 1920-1944 dhe për kinematë, që brezat të njohin qytetin ku kanë jetuar gjyshërit”, tha Mëhilli në “Refleksione”.

Ai ka kujtuar edhe se si regjimi ushtronte censurën për filmat që krijoheshin në atë kohë, sidomos për ndonjë skenë që mund të kishte puthje.

“Janë prodhuar 294 filma, nga të cilët 47 ose janë prerë ose nuk janë dhënë fare. Mbaj mend një film të Anagnostit, që kishte një skenar që filmi zhvillohej  në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Aty kishte një skenë kur një ushtar italian përdhunonte një vajzë dhe që fshati ngrihej në protestë. Mirëpo censorëve të regjimit nuk i pëlqeu që fshati të ngrihej për këtë rast, pasi, sipas ideologjisë së kohës, fshati duhej të ngrihej kundër fashizmit e jo për një rast të tillë morali. Mbaj mend se Taqi ma pati treguar vetë këtë skenar, që ishte shumë i mirë, por që për këtë pjesë mbeti ashtu, i mohuar”, u shpreh Mëhilli.

Ai ka kujtuar gjithashtu se, një nga gjërat më delikate në Kinostudio ishin aktorët që kishin biografi jo shumë të mirë, e që shpesh i jepnin role negative për të luajtur.

“Mirëpo, duke i vënë edhe rol negativ ata shpërthenin në rol, duke e lozur me shpirt. Këto personazhe duke dalë më domethënës, më të pëlqyer, hapnin debate me telashe ndaj tyre. Madje edhe Kadri Rroshi nuk është kursyer duke e dërguar punëtor në kombinatin e drurit në atë kohë që njihej si ‘Misto Mame’. Ka patur edhe të tjerë që janë dënuar për hiçgjë”, rrëfeu Mëhilli në “Refleksione”, teksa ka kujtuar edhe “alergjinë” e xhaxhait të tij nga gërshërët, pasi, sipas tij, kishte aq shumë pjesë filmash që priteshin sa shpesh filmi rrezikonte të humbte kuptimin.

“Zakonisht blerjen e filmave e diktonte drejtoria e propagandës, që të kishte më shumë përralla apo socrealiste, që të mos dukej bota e vërtetë në perëndim. Atashetë kulturorë në ambasadat tona kishin shumë problem blerjen e filmave. Xhaxhai im më ka rrëfyer këto vështirësi në blerjen e filmave nga vetë ai. P.sh filmi “Një jetë” u dha vetëm një ditë dhe në atë kohë Fiqirete Shehu kërkoi ndalimin e filmit vetëm për një skenë të vogël  dashurie”, ka kujtuar i apasionuari Spiro Mëhilli./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!