Nga David Spiegelhalter, The Guardian
Historitë në lidhje me njerëzit që pësojnë mpiksje gjaku menjëherë pas marrjes së vaksinës Oxford / AstraZeneca janë bërë një burim ankthi në mesin e udhëheqësve europianë.
Pas raportimit se një person kishte vdekur dhe 3 të tjerë ishin shtruar në spital në Norvegji, Irlanda ka pezulluar përkohësisht vaksinën. Siç ka theksuar zëvendës shefi mjekësor i Irlandës, Ronan Glynn, nuk ka asnjë provë se kjo vaksinë shkakton mpiksje të gjakut.
Është një tendencë e zakonshme e njerëzve për t’i atribuar, një efekt shkakor ngjarjeve të ndryshme, edhe kur nuk ka prova. Kur Agjencia Europiane e Barnave tha se 30 pacientë kanë pësuar mpiksje gjaku pas rreth 5 milion vaksinash, lind pyetja: a ndikon kjo në rrjedhën normale të gjërave?
Bëjmë një llogaritje të thjeshtë. Trombozat e venave të thella (DVT) ndodhin te 1 në 1,000 persona çdo vit dhe ndoshta më shumë te personat e moshuar që vaksinohen. Duke folur në bazë të këtyre shifrave, nga 5 milion njerëz që vaksinohen, supozohet që 5,000 prej tyre të kishin trombozë, ose të paktën 100 çdo javë.
Pra, nuk është aspak e habitshme që ka pasur 30 raporte të rasteve të tilla.
Në provat që çuan në miratimin e vaksinave në MB, vullnetarët u caktuan rastësisht për tu vaksinuar.
Të gjithë më pas raportuan një efekt anësor për shkak të vaksinës por ç’është e rëndësishmja askush nuk e dinte nëse ata kishin marrë dozën e vërtetë ose një injeksion inert. Duke krahasuar numrin e raporteve nga të dy grupet, ne mund të shohim se sa “reagime” ishin me të vërtetë për shkak të përbërësve aktivë dhe sa ishin të lidhur me procesin e vaksinimit.
Efektet anësore janë raportuar nga 38% e atyre që janë vaksinuar. Nga më shumë se 24,000 pjesëmarrës, më pak se 1% raportuan një efekt të rëndë anësor. Pra, nuk kishte prova të rritjes së rrezikut nga marrja e vaksinës AstraZeneca. E njëjta gjë, ndodhi edhe për Pfizer.
Provat janë të shkurtra dhe relativisht të vogla, dhe kanë tendencë të përfshijnë njerëz të shëndetshëm, kështu që ne kemi nevojë për të mbledhur të dhëna në botën reale ndërsa vaksinat janë shpërndarë dhe do vazhdojnë të shpërndahen.
Në Mbretërinë e Bashkuar, efektet anësore raportohen duke përdorur sistemin “kartoni i verdhë”, i cili daton që nga ditët kur mjekët vendosën të plotësonin kartona të verdhë për të raportuar efektet anësore.
Deri më 28 shkurt, rreth 54,000 kartona të verdhë janë raportuar për vaksinën Oxford / AstraZeneca, nga rreth 10 milion vaksina të dhëna (vaksina Pfizer ka një normë pak më të ulët). Pra, për të dy vaksinat, niveli i përgjithshëm i raportimit është rreth tre deri në gjashtë raporte për 1.000 vaksinime.
Kjo do të thotë që një numër shumë më i madh i efekteve anësore raportohen në prova sesa përmes vaksinimit real. Deri më tani, këto vaksina kanë treguar se janë jashtëzakonisht të sigurta.
Në fakt, është ndoshta e habitshme që nuk kemi dëgjuar më shumë histori të efekteve anësore. Mund të ketë ndonjë ngjarje jashtëzakonisht të rrallë që shkaktohet nga vaksinat Covid-19, por ende nuk ka asnjë të dhënë për këtë.
Ne thjesht mund të shpresojmë që ky mesazh të kalojë tek ata persona që ende hezitojnë të vaksinohen për shkak të keqinformimit që është përhapur në lidhje me dëmin e supozuar të vaksinave dhe komenteve nga disa politikanë europianë.
A do të jemi në gjendje t’i rezistojmë ndonjëherë dëshirës për të gjetur patjetër një shkak në çdo ngjarje që do të ndodhë?
Një mënyrë për ta bërë këtë do të ishte promovimi i metodës shkencore dhe të sigurohemi së të gjithë e kuptojnë këtë parim themelor. Testimi i një hipoteze na ndihmon të shohim se cilat forma ose supozime janë të sakta dhe cilat jo.
Në këtë mënyrë, provat e rastësishme kanë provuar efektivitetin e disa trajtimeve Covid dhe kanë shpëtuar një numër të madh jetësh, ndërsa na tregojnë gjithashtu se disa pretendime të mbingarkuara në lidhje me trajtimet për Covid-19, të tilla si hidroksiklorokina dhe plazma rikuperuese ishin të pasakta.
Por, nuk mendoj se mund ta racionalizojmë plotësisht veten nga dëshira themelore dhe shpesh krijuese për të gjetur modele edhe atje ku nuk ekzistojnë.
Ndoshta mund të shpresojmë vetëm në një përulësi themelore përpara se të pretendojmë se e dimë pse diçka ka ndodhur”, sipas David Spiegelhalter, drejtuesi i Qendrës Winton për Rrezikun dhe Komunikimin e Fakteve në Universitetin e Kembrixhit./abcnews.al