Studimi: Rreziku për të pësuar abort rritet gjatë verës

schedule18:37 - 14 Korrik, 2022

schedule 18:37 - 14 Korrik, 2022

Të gjitha gratë shtatzëna kanë frikë se mund të ndodhë ndonjë ndërlikim dhe të abortojnë. Sipas një studimi të ri amerikan, rreziku i abortit të një gruaje duket se rritet gjatë verës. Siç u përmend në këtë hulumtim, abortet e hershme në fund të gushtit janë 44% më shumë se në fund të shkurtit.

Deri në 30% të shtatzënive përfundojnë me abort, pra me humbje të fetusit para javës së 20-të të shtatzënisë. Rreth gjysma e aborteve janë të pashpjegueshme dhe ka pak faktorë rreziku të njohur për abortin, të cilët mund ta çojnë një grua në depresion dhe ankth.

Shkolla e Shëndetit Publik të Universitetit të Bostonit, Shkolla e Shëndetit Publik të Universitetit Brown dhe studiuesit e Shkollës së Mjekësisë të Universitetit Tufts analizuan të dhënat për 6104 shtatzëni, nga të cilat pothuajse 20% përfunduan në abort spontan.

U zbulua se kishte një rrezik dukshëm më të lartë të abortit gjatë muajve të verës në krahasim me muajt e dimrit. Rreziku i abortit në javën e 20-të ishte 31% më i lartë në gusht se në shkurt, ndërsa rritja e rrezikut arriti në 44% për abortet shumë të hershme (para javës së tetë të shtatzënisë).

Studiuesit theksuan nevojën për më shumë kërkime mbi ndikimin e mundshëm të nxehtësisë në abortet spontane, si dhe faktorë të tjerë mjedisorë. “Ne e dimë se nxehtësia lidhet me një rrezik më të madh të problemeve të tjera të shtatzënisë, si lindja e parakohshme, pesha e ulët në lindje dhe veçanërisht lindja e vdekur”, tha Dr. Amelia Wesselink./abcnews.al