Një martesë e lumtur i ndihmon njerëzit që kanë kaluar një atak në zemër të shërohen më shpejt, ka zbuluar një studim. Shkencëtarët në Universitetin Yale kanë zbuluar se një marrëdhënie harmonike mund të zvogëlojë mundësinë që njerëzit të shtrohen në spital apo të kenë dhimbje gjoksi.
Anasjelltas, u zbulua se marrëdhëniet me probleme ndikojnë negativisht në rimëkëmbje. Ndërsa kërkimet e mëparshme zbuluan se stresi psikologjik dhe social mund të rezultojë në një shërim më të ngadaltë nga sëmundjet e zemrës, ndikimi i marrëdhënieve bashkëshortore nuk është studiuar më parë.
Dr Cenjing Zhu i Shkollës së Shëndetit Publik të Yale dhe autori kryesor i studimit, studioi 1,593 të rritur të moshës 18 deri në 55 vjeç, të cilët u trajtuan për sulme në zemër në vitet 2008- 2012 në disa spitale në të gjithë SHBA. Të gjithë ishin të martuar ose në një lidhje të përkushtuar në kohën e sulmit në zemër.
Pjesëmarrësit vetë-raportuan nivelin e tyre të stresit martesor një muaj pas sulmit të tyre duke përdorur një shkallë prej 12 pikësh, duke iu përgjigjur pyetjeve shtesë në lidhje me shëndetin e tyre fizik dhe mendor dhe ndërveprimet sociale një vit më vonë.
Studiuesit zbuluan se pjesëmarrësit që raportuan stres të moderuar ose të rëndë kishin mbi dy të tretat (67 përqind) më shumë gjasa të raportonin dhimbje gjoksi dhe gati 50 përqind më shumë gjasa të shkonin sërish në spital për çfarëdo arsye sesa ata që raportuan stres të lehtë martesor ose jo.
Shkencëtarët identifikuan gjithashtu një ndarje gjinore midis pjesëmarrësve, me më shumë gra sesa burra që raportuan stres të rëndë martesor. “Gjetjet tona mbështesin se stresi i përjetuar në jetën e përditshme, si stresi martesor, mund të ndikojë në rikuperimin e të rinjve pas një ataku kardiak.”, Dr Cenjing Zhu. /abcnews.al