Studimi, mbi 50% e amerikanëve mendojnë se media dezinformon

schedule21:46 - 15 Shkurt, 2023

schedule 21:46 - 15 Shkurt, 2023

Sipas një sondazhi të fundit, gjysma e amerikanëve mendojnë se organizatat mediatike kombëtare, synojnë të dezinformojnë ose bindin publikun që të përqafojë një këndvështrim të caktuar, përmes raportimit të tyre.

Sondazhi u publikua të mërkurën nga organizata ‘Gallup’ dhe fondacioni ‘Knight’. Ai është dëshmi e një niveli të ulët besimi tek media deri në një pikë befasuese, që tregon se shumë amerikanë besojnë se keqinformimi bëhet me qëllim.

Të pyetur nëse janë dakord me qëndrimin se organizatat mediatike kombëtare, nuk synojnë të keqinformojnë, 50% e të anketuarve thanë se nuk ishin dakord me të. Vetëm 25% u pajtuan me këtë qëndrim.

Në mënyrë të ngjashme, 52% e amerikanëve nuk u pajtuan me pohimin se organizatat mediatike kombëtare “kujdesen për interesat më të mira të lexuesve, shikuesve dhe dëgjuesve të tyre”. Sipas studimit vetëm 23% e të anketuarve, besonin se gazetarët vepronin në interesin më të mirë të publikut.

Kjo ishte mjaft e habitshme për ne“, tha Sarah Fioroni, një këshilltare e organizatës ‘Gallup’. “Gjetjet treguan një thellësi mosbesimi e ndjenjë të keqe, që shkojnë përtej themeleve dhe proceseve të gazetarisë”, tha ajo.

Si për ngushëllim, studimi tregoi se amerikanët kishin më shumë besim tek lajmet lokale.

Ashtu si me shumë studime të tjera, ‘Knight’ dhe ‘Gallup’ zbuluan se demokratët u besojnë lajmeve më shumë sesa republikanët. Gjatë pesë viteve të fundit, niveli i mosbesimit është rritur veçanërisht në mesin e të pavarurve. Në përgjithësi, 55% e të anketuarve thanë se kishte një qasje të madhe politike në mbulimin e ngjarjeve, krahasuar me 45% në 2017.

Sondazhi zbuloi se 32% e amerikanëve i kushtojnë një vëmendje të madhe lajmeve lokale, një nivel më i ulët krahasuar me 56% që paraqitej në fillim të vitit 2020, në fillim të një viti zgjedhor presidencial dhe shpërthimit të COVID-19.

Rezultatet bazohen në anketimin e 5,593 amerikanëve të moshës 18 vjeç e lart, të kryer nga 31 maji deri më 21 korrik 2022./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!