Disa kafshë me gjak të ngrohtë po pësojnë ndryshime në trupat e tyre me shumë mundësi si përgjigje ndaj presionit të ushtruar nga ndryshimet klimaterike. Në këtë përfundim ka dalë një studim i realizuar së fundmi.
Kafshët po zhvillojnë këmbë më të gjata, sqep dhe veshë që u krijojnë më shumë mundësi që të rregullojnë temperaturën e trupit ndërsa planeti bëhet gjithnjë e më i nxehtë. Më shumë duket se po preken zogjtë, thotë Sara Ryding, një studiuese në Universitetin Deakin në Australi dhe një nga autoret e studimit të publikuar të martën në revistën “Trends in Ecology & Evolution.”
Nga 30 kafshët që u analizuan rezultoi se ndryshimet më të mëdha kanë ndodhur në disa specie papagajsh në Australi. Rezulton se madhësia e sqepit të tyre është rritur mesatarisht me 4 deri në 10 për qind që nga viti 1871.
“Nuk e dimë nëse këto ndryshime i ndihmojnë këto kafshë për të mbijetuar, pra nëse janë të mira apo jo. Ky fenomen i ndryshimit të përmasave nuk duhet parë as si pozitiv por as edhe si negativ. Por, ajo që është alarmante është fakti se ndryshimet klimaterike po i shtyjnë kafshët që të evoluojnë në këtë mënyrë, në periudha relativisht të shkurtra,” u shpreh Ryding. /abcnews.al/