Sipas shkencëtarëve izraelitë, studimi më i madh deri më sot në botë mbi efektivitetin e një doze të tretë përforcuese të vaksinës Pfizer / BioNTech tregon ndryshimin e madh në efektivitetin midis dy dozave, shkruan Lancet
Studimi arriti në përfundimin se doza e tretë ul ndjeshëm rrezikun e shtrimit në spital dhe të simptomave më të rënda me 92% dhe 93% në krahasim me marrjen e dy dozave. Studiuesit nga Instituti i Kërkimeve izraelite Clalit dhe Universiteti Amerikan i Harvardit analizuan të dhënat e 728,321 personave mbi moshën 12 vjeç me një moshë mesatare 52 vjeç, të cilët morën një dozë të tretë, si dhe për një numër të barabartë njerëzish me karakteristika të ngjashme demografike dhe mjekësore, të cilët kishin marrë dy doza të paktën pesë muaj më parë.
Sipas studimit, personat që morën dozën e tretë të Covid, ishin deri në 93% më pak të rrezikuar për tu shtruar në spital, dhe 92% më pak të rrezikuar për të zhvilluar simptoma të rënda. Efektiviteti i dozës së tretë ishte i ngjashëm pavarësisht nga gjinia, mosha dhe apo sëmundjet bashkëshoqëruese, raporton abcnews.al
“Këto rezultate tregojnë bindshëm se doza e tretë e vaksinës është shumë efektive kundër Covid-19 në grupmosha dhe nëngrupe të ndryshme të popullsisë, një javë pas dozës së tretë”, tha profesori Ran Balitzer, drejtor i Institutit Clalit.
“Ky studim epidemiologjik ofron informacion të besueshëm mbi efektivitetin e dozës së tretë të vaksinës, e cila shpresojmë se do të ndihmojë personat që nuk kanë vendosur ende të marrin dozën e tretë të vaksinës”, tha profesor Ben Reyes i Shkollës Mjekësore të Harvardit.
/abcnews.al