Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit Stresi është shprehur se po përndiqet nga policia për shkak të deklaratave që ka bërë për kryeministrin Rama. Në një lidhje live nga Instagrami, reperi thekson se arsyeja e vetme pse nuk ndodhet në Shqipëri është se është dhënë një urdhër për ta rrahur. Më tej, reperi shprehet se nuk është tërhequr kurrë nga kauza e ndërmarrë, ndërsa shton se “ka me ardhur dita e 25 Prillit dhe kemi me ju shfaros prej tokës.”
“Që ta dijë i gjithë populli shqiptar përse po përndiqem prej policisë është vetëm prej kryeministrit. Një kryeministër që merret me një person dhe që ka shtetin në dorë është shumë e lehtë. Por mos harro ka me ardhur dita e 25 Prillit dhe ka me ua kthyer dhe kemi me ju shfaros prej tokës ditën e zgjedhjeve. Mbajeni mend, kemi me ju shfaros o komunista.
Kemi prapë një betejë shumë të madhe bashkë me mua personalisht dhe me krejt popullin. 25 Prillin e keni betejën më të fortë në historinë e flamurit shqiptar. Populli ka me ju prerë në mes prej votave. Unë nuk i kërkoj falje askujt. Kur të jem gabim kërkoj falje siç i ka hije burrit dhe djalit. Kanë dalë shumë artikuj që Stresi tërhiqet. Nuk jam unë prej atyre që tërhiqen. Më tregoni një rast në jetën time kur jam tërheq për diçka kur kam qenë me të drejtë Zoti?
Unë i kam vëllezërit e mi nëpër çdo cep të Shqipërisë dhe kanë me dalë për çdo protestë si me qenë dhe unë aty. Arkimed Lushaj nuk është tërhequr prej kauzës së vet. Provojeni me t’u vendosur 700-800 policë dhe e shihni vetë se si është situata. Rëndësi ka që kauza u hap, tani bëni çfarë të doni. Unë po pushoj pak dhe kam me u kthyer më i fortë se kurrë me 25 Prill.
Me dasht kthehem kur të dua se nuk i kam bërë asgjë askujt por kam informacionet e mia se si është duke më përndjekur policia. E vetmja arsye pse nuk jam në Tiranë është se nuk e di kush e ka marrë atë urdhër por bëj be në Zot që janë dy hummera, 8 makina policie, me kapuça ku me më zënë dhe me më rrahur mua. Vetëm kaq ka dashur të bëjë policia prej deklaratave të mia që kam folur për kryeministrin.”, thotë Stresi. /abcnews.al