Strehonin klandestinë dhe i pajisnin me dokumente të faksifikuara, arrestohen babë e bir në Lushnje

schedule19:22 - 9 Shtator, 2021

schedule 19:22 - 9 Shtator, 2021

Babë e bir kanë rënë në prangat e policisë së Lushnjes pasi strehonin dhe pajisnin me dokumenta të falsifikuar emigrantët e paligjshëm.

Në kuadër të operacionit të koduar “Passport” është bërë i mundur arrestimi i shtetasve G. H., 53 vjeç dhe Xh. H., 24 vjeç, (babë e bir), banues në Karbunarë, Lushnjë.

Këto dy shtetas mësohet se strehonin klandestinë me qëllim trafikimin për në vendet e Bashkimit Europian dhe i pajisnin me dokumenta të dyshuara të falsifikuara

Ndër të tjera në kuadër të operacionit janë sekuestruar 5600 euro, para që përdoren në Bangladesh, 11 pasaporta, dokumenta të tjera të dyshuara të falsifikuara, 6 aparate celularë, 1 laptop, 1 automjet.

Njoftimi i plotë:

Zbulohet një bazë e falsifikimit të dokumentave dhe strehimit të emigrantëve nga vendet e treta me qëllim kontrabandimin e tyre në një nga vendet e BE-së, kundrejt fitimit.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Passport”, zhvilluar nga Komisariati i Policisë Lushnjë në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Fier dhe Forcën e Posaçme “Shqiponjat”.

Strehonin klandestinë me qëllim trafikimin për në vendet e Bashkimit Europian dhe i pajisnin me dokumenta të dyshuara të falsifikuara, arrestohen në flagrancë dy shtetas.

Sekuestrohen 5600 euro, para që përdoren në Bangladesh, 11 pasaporta, dokumenta të tjera të dyshuara të falsifikuara, 6 aparate celularë, 1 laptop, 1 automjet.

Në zbatim të planit të masave për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, bazuar në informacionet e marra në rrugë policore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Fier dhe Forca e Posacme “Shqiponja” finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Passport”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:G.H., 53 vjeç dhe Xh. H., 24 vjeç, (babë e bir), banues në Karbunarë, Lushnjë.

Këta shtetas, në lagjen “Kongresi”, Lushnjë, kishin marrë një banesë me qera, që shërbente si bazë për të  strehuar klandestinë me qëllim trafikimin e tyre për në vendet e Bashkimit Europian duke i pajisur me pasaporta të dyshuara të falsifikuara.

Gjatë kontrollit të banesës, u gjetën dy shtetas të huaj si edhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 11 pasaporta, dokumenta të tjera të dyshuara të falsifikuara, 5600 euro, një sasi parash që përdoren në Bangladesh, 1 laptop, 6 aparate celularë dhe 1 automjet tip “Renault”.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme procedurale./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!