Një tjetër person është ndalur nga policia për kontrabandën e 50 sirianëve nga Vlora drejt Italisë me gomone.
Sipas burimeve 32-vjeçari Qazim Ismailaj nga fshati Trevllazër është ndaluar në 15 janar nga Policia e Vlorës.
Pas shtetasit Fatos Dusha i ndaluar në Tiranë, Ismailaj është personi i dytë i ndaluar për ngjarjen e datës 9 janar, ku u arritën të shpëtohen shtetasit sirianë pas dëmtimit që pësoi mjeti lundrues që do t’i dërgonte drejt Italisë.
Ndërkohë policia bën me dije se vijojnë veprimet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.
Vlorë/Informacion
Vijon puna për zbardhjen e plotë të tentativës për kontrabandim të migrantëve një javë më parë.
Identifikohet, kapet dhe ndalohet një 31-vjeçar, i dyshuar si autori i dytë i kontrabandimit të migrantëve nga vendet e treta, në drejtim të Italisë.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë, në vijim të punës për zbardhjen e plotë tentativës për kontrabandimin e migrantëve në rruge detare dhe vënien para drejtësisë të personave përgjegjës, bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe ndalimin e autorit të dytë të kësaj ngjarjeje, shtetasi:
Q. I., 31 vjeç, banues në Trevllazër, Vlorë.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se ky shtetas ka strehuar në banesën e tij në fshatin Trevllazër, shtetasit e huaj emigrantë që kishin ardhur nga Tirana, të cilët do të largoheshin nëpërmjet rrugës detare në drejtim të shtetit italian, më datë 08.01.2021.
Vijojnë intensivisht veprimet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të kundërligjshme.
Materialet i kanë kaluar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
/abcnews.al/