Strazburg, Orban kundër BE-së: Nuk i dorëzohemi shantazheve

schedule22:45 - 11 Shtator, 2018

schedule 22:45 - 11 Shtator, 2018

Duke i quajtur paralajmërimet e BE-së kërcënime dhe shantazhe, kryeministri hungarez Viktor Orban ka deklaruar se vendi i tij do ta luftojë edhe i vetëm emigracionin. Deklaratën Orban e ka bërë në një seancë të Parlamentit Europian, që po shqyrton vendosjen e sanksioneve ndaj Hungarisë.

Me një ton sa të vendosur aq edhe ironik, kryeministri hungarez Viktor Orban u ka bërë të qartë vendeve anëtare të BE-së se vendi i tij nuk do të ndryshojë qëndrim sa i takon çështjes së emigracionit. I thirrur në një seancë plenare në Parlamentin Europian, Orban ka theksuar se Hungaria nuk do të bjerë pre e shantazheve, duke iu referuar një relacioni të hartuar nga euro-parlamentarët në lidhje me politikat e Budapestit. Madje, Orban ka shtuar se, në rast sanksionesh do të dëmtohet populli hungarez, që prej shumë vitesh është pjesë e familjes europiane. “Hungaria do të dënohet sepse ka vendosur të mos kthehet në vend emigrantësh. Por ne nuk do të pranojmë kërcënime e shantazhe të forcave pro-emigracionit”, ka thënë Orban. Ai ka theksuar se Hungaria do të ndalojë emigracionin klandestin dhe do të mbrojë kufijtë e saj edhe nëse do t’i duhet të dalë kundër Bashkimit Europian.

Kryeministri ka kujtuar se vendi i tij i ka bërë boll kompromise me Brukselin, përfshirë këtu ndryshimet në sistemin gjyqësor dhe atë elektoral, të cilat tani sipas tij po hidhen në kosh nga Unioni. “Po i jepni një goditje të rëndë një dialogu konstruktiv”, ka vijuar Orban. Por paralajmërimeve të Orban i është përgjigjur po me tone ironike lideri i Partisë Popullore, Manfred Veber. “Nëse Orban nuk shpreh vullnet për të bashkëpunuar, atëherë “familja e tij europiane” do ta dënojë”, ka thënë Veber. Aktualisht PE po shqyrton nisjen e procedurave për zbatimin e nenit numër 7 të traktateve europiane, që parashikon sanksione për vendet që shkelin rregullat e shtetit të së drejtës./abcnews.al