Nga Fareed Zakaria “Washington Post”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
“Sot po jetojmë në një epokë krejtësisht të re!” -u shpreh 99-vjeçari Henry Kissinger, duke komentuar pushtimin rus të Ukrainës. Në një shkrim të publikuar javën e kaluar, presidenti Joe Biden i përshkroi hapur rreziqet që kemi përpara.
“Nëse Rusia nuk paguan një kosto të madhe për veprimet e saj në Ukrainë, atëherë kjo do t’i dërgonte një mesazh agresorëve të tjerë të mundshëm, se edhe ata mund të pushtojnë territore dhe të nënshtrojnë vende të tjera. Kjo do të vërë në rrezik mbijetesën e demokracive të tjera paqësore. Mund të shënojë fundin e rendit ndërkombëtar aktual të bazuar në rregulla, dhe t’i hapë derën një sulmi diku tjetër me pasoja katastrofike në mbarë botën”- shkroi ndër të tjera ai.
Në kohëra si këto, u duk shumë e përshtatshme që Sekretari i Shtetit Antony Blinken të mbante një fjalim politik të rëndësishëm, gjë që e bëri në fund të muajit të kaluar. Por ai zgjodhi ta mbajë fjalimin… për Kinën.
Fjalimi në vetvete nuk përmbante asgjë të re. Ai ishte paksa më i nuancuar sesa rrahja e zakonshme e gjoksit që karakterizon strategjinë anti-Kinë të SHBA-së në këto kohë. Surpriza e vërtetë ishte se në mesin e luftës së parë të madhe tokësore në Evropë që nga viti 1945, dhe me pasoja monumentale, Blinken zgjodhi që të mos parashtronte strategjinë e fitores.
Në vend të kësaj ai ndryshoi temë. Establishmenti i politikës së jashtme në Uashingtonit, është aq i fiksuar në qasjen e tij të para-krizës, saqë nuk mund ta përtypë realisht faktin që toka nën këmbët e saj është zhvendosur në një mënyrë sizmike.
Blinken deklaroi se pavarësisht agresionit të saj në Ukrainë, Rusia nuk përbën kërcënimin më të madh për rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Përkundrazi ky vend i takon sërish Kinës. Siç sugjeron në një artikull të kohëve të fundit Zachary Karabell, kjo qasje kërkon një verbëri të qëllimshme ndaj dekadave të agresionit rus.
Rusia ka pushtuar Gjeorgjinë dhe Ukrainën, dhe ka aneksuar pjesë të këtyre vendeve. Ajo përdori brutalisht fuqinë e saj ajrore në Siri, duke vrarë mijëra civilë. Në kundërpërgjigje ndaj dëshirës së Çeçenisë për pavarësi, Moska rrafshoi pjesë të mëdha të Republikës Ruse, përfshirë kryeqytetin e saj, Grozny.
Viktimat në civilë në atë konflikt vlerësohet të jetë në dhjetëra mijëra. Vladimir Putin ka dërguar ekipe vrasësish profesionistë në vendet perëndimore për të eleminuar armiqtë e tij, ka përdorur para dhe sulme kibernetike për të dëmtuar demokracitë perëndimore dhe së fundmi ka kërcënuar me përdorimin e armëve bërthamore.
A i afrohet ndonjë vend tjetër në qasjen që ka? Ironikisht, një nga njerëzit që ndoqi fjalimin e Blinken ishte senatori republikan Mitt Romney, që gjatë fushatës së tij presidenciale në vitin 2012 paralajmëroi me të drejtë se Rusia përbënte kërcënimin e vetëm më të madh për Shtetet e Bashkuara.
Ata analistë, përfshirë edhe mua, që e hodhën poshtë prognozën e tij e patën gabim, sepse ne analizonim vetëm forcën e Rusisë, e cila nuk ishte mbresëlënëse. Por Romney e kuptoi se fuqia në sferën ndërkombëtare matet me një përzierje aftësish dhe synimesh.
Dhe ndonëse Rusia nuk është një gjigant në rritje, ajo është e vendosur ta sfidojë, ta përçajë Amerikën dhe Evropën, dhe të shkatërrojë sistemin ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Rusia e Putinit është ngatërrestari më i madh i botës. Fenomeni i një fuqie në rënie, që shndërrohet në rrezikun më të madh për paqen globale nuk është i paprecedentë.
Në vitin 1914, vendi që shkaktoi Luftën e Parë Botërore ishte Austro-Hungaria, një perandori në rënie por gjithsesi e vendosur të përdorte ushtrinë e saj për t’i treguar botës se kishte ende rëndësi, dhe për t’i dhënë një leksion të hidhur Serbisë, të cilën ajo e konsideronte si një shtet të vogël vasal.
Tingëllon si diçka e njohur? Prioriteti kryesor i Amerikës duhet të jetë sigurimi që Rusia të mos dominojë në luftën e saj kundër Ukrainës. Dhe për momentin tendencat po lëvizin në drejtimin e gabuar. Forcat ruse po i konsolidojnë arritjet e tyre në Ukrainën Lindore. Çmimet e larta të naftës, kanë bërë që paratë të vazhdojnë të shkojnë në arkat e Putinit.
Evropianët kanë nisur të flasin për një rrugëdalje nga ky konflikt. Moska po u ofron një marrëveshje vendeve në zhvillim: Detyrojeni Perëndimin të heqë sanksionet ndaj Rusisë, dhe kjo do të ndihmojë në eksportimin e të gjithë grurit nga Ukraina dhe Rusia, duke shmangur kësisoj urinë në shumë pjesë të botës.
Udhëheqësit e Ukrainës thonë se vendi nuk ka ende armët dhe trajnimin që i nevojitet për të luftuar në mënyrë më efektive. Për momentin strategjia më e mirë e SHBA-së kundër Kinës, është mposhtja e Rusisë në Ukrainë. Xi Jinping vuri një bast të rrezikshëm, kur e mbështeti fuqishëm Rusinë në prag të pushtimit të saj në Ukrainë.
Por nëse Rusia del nga ky konflikt një vend i dobët dhe i izoluar, kjo do të jetë një goditje e rëndë për Xi, që ka lidhur një aleancë të ngushtë me Putinin. Nëse nga ana tjetër, Putin mbijeton dhe arrin të organizojë një lloj rikthimi në skenën ndërkombëtare, Xi dhe Kina do të mësojnë një leksion ogurzi: se Perëndimi nuk mund të mbështesë dot sistemin e tij të bazuar në rregulla kundër një sulmi të vazhdueshëm nga ata që duan ndryshimin e tij.
Shumica e zyrtarëve në postet e larta në administratën Biden, kanë qenë zyrtarë të lartë edhe në administratën Obama në vitin 2014, kur Rusia nisi pushtimin e saj të parë në Ukrainë, aneksoi Krimenë dhe ndërhyri në Ukrainën Lindore.
Ata nuk ishin në gjendje që të sprapsnin agresionin e Moskës, dhe as ta detyronin Putinin që të paguante një kosto të lartë për atë akt. Ndoshta në atë kohë, ata e shihnin Shtetin Islamik si kërcënimin më të madh për rendin global, ose ishin të fokusuar drejt Azisë, ose nuk i jepnin sa duhet përparësi Ukrainës. Tani këta zyrtarë kanë një shans të dytë, por që ka të ngjarë të jetë i fundit. /abcnews.al

