Strakosha: Sa bukur që u rikthyem, Lazio si The Avengers. Unë jam Spiderman

schedule16:19 - 9 Maj, 2020

schedule 16:19 - 9 Maj, 2020

Thomas Strakosha është prej kohësh një nga pikat më të forta të Lazios. “Gardiani” shqiptar i ka zhvilluar të plota të 26 ndeshjet e këtij sezoni në Serie A dhe askush nuk ka pësuar më pak gola se ai. 23 herë e ka nxjerrë topin nga rrjeta 25-vjeçari, një herë më pak se Juventusi e Interi, dhe tre herë më pak se Verona e Kumbullës dhe Rrahmanit.

Portieri i kombëtares shqiptare, ka prekur disa tema në një prononcim për Lazio Style, aty ku bën edhe një krahasim për Lazion e tij dhe shokët e skuadrës, të cilët kanë rinisur stërvitjen dhe janë gati të garojnë me Juventusin për fitimin e titullit kampion, trofe që mungon në Romën bardhekaltër prej vitit 2000.

SITUATA – “Ishte e bukur të riktheheshim në Formello, të shihnim barin e fushave dhe shokët e skuadrës. Nuk ka qenë e lehtë të qëndrojë në shtëpi këto kohë. E kam kaluar kohën duke parë filma dhe duke u stërvitur. Për fat të mirë kam patur familjen afër, përndryshe do ta kisha më të vështirë”.

KARIKIMI – ”Jemi të karikuar, duam të rinisemi, por pa rrezikuar askënd për fajin tonë. Të luash pa tifozë, gjithmonë nëse do të rikthehemi të luajmë, nuk është diçka e bukur, por është një situatë e vështirë për gjithë botën”.

LAZIO – “Sigurisht që do të ketë pasoja prej pushimit, por duhet të kuptojmë nëse bëhet fjalë për një çështje mentale. Unë jam plot besim, sepse e njoh forcën e Lazios. Jemi bashkë prej katër vitesh, jemi rritur shumë në aspektin teknik dhe psikologjik”.

THE AVENGERS – “Radu është si Hulku, Thor mund ta bëjë Acerbi, Lulic është Captain America, Iron Man po zgjedhim Luis Alberton, sepse ai i bën gjërat me saktësi, ndërsa Eyes on Fire është Marusic. Unë? Epo, unë jam Spiderman”, përfundon Strakosha duke buzëqeshur. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!