Strakosha, më i miri i talenteve të rinj në Itali

schedule22:30 - 4 Mars, 2019

schedule 22:30 - 4 Mars, 2019

Tomas Strakosha është vlerësuar si lojtari më i mirë i javës në Serinë A, për talentet e reja. Portieri shqiptar shkëlqeu në derbin ndaj Romës, por doli nga fusha i dëmtuar.

Suksesi i madh u arrit edhe prej tij. Tomas Strakosha dha një ndihmë vërtet të madhe në derbin që Lacio e fitoi 3-0 ndaj Romës në stadiumin “Olimpiko” dhe paraqitja e portierit shqiptar nuk mbeti pa rënë në sy. 23-vjeçari u shpall lojtari më i mirë i javës në Serinë A, në renditjen e atyre që quhen “premtimet e reja”.

Ishin pikërisht lexuesit e “La Gazeta delo Sportit” që e nxorrën në vend të parë duke vlerësuar pritjet në derbi, si dhe faktin që luftoi deri në fund edhe pse ishte i dëmtuar. Portieri shqiptar la shumë prapa Xheremi Bogën e Sasuolos dhe Injacio Puseton e Udinezes.

Shqetësimi ishte i madh se Strakosha mund të mungonte për një kohë të gjatë për Lacion, por edhe për kombëtaren shqiptare në eleminatoret e Europanit. Analizat treguan se ai ka dëmtim në shpatull, por jo të rëndë.

Rrezikon të mos luajë në ndeshjen ndaj Fiorentinës fundjavën e ardhshme, por pritet të jetë gati për sfidat e tjera të sezonit me Lacion, si dhe për eleminatoret e Europianit, që Shqipëria i nis me duelin ndaj Turqisë në 21 Mars.

Lacio, ndërkaq, shpreson të arrijë zonën Champions, pas triumfit të madh në derbi. Diferenca prej 6 pikësh me Interin është e madhe, por jo e pamundur që të tejkalohet deri në fund të sezonit./abcnews.al