Strakosha: Dua titullin kampion me Lazion, ka një shkak pse nuk flas shumë

schedule12:58 - 21 Maj, 2020

schedule 12:58 - 21 Maj, 2020

Thomas Strakosha ëndërron titullin kampion. Serie A është shumë afër rifillimit të kampionatit të lënë përgjysmë dhe Lazio ndodhet vetëm një pikë larg vendit të parë. 25-vjeçari ka zhvilluar një sezon fantastik dhe ka pësuar më pak gola se të gjithë në këtë sezon në Itali.

Portieri shqiptar ka dhënë një prononcim të gjatë për Lazio Style Channel rreth situatës së skuadrës, rritjes të madhe që kanë pësuar bardhekaltrit dhe meritave të trajnerit Inzaghi. Strakosha flet edhe për veten e tij, teksa e mbyll me kombëtaren kuqezi, portën e të cilës e ka mbrojtur 12 herë.

Për fat të mirë po kthehem në dispozicion pas një problemi të vogël. Situata është përmirësuar, po presim vetëm rifillimin e kampionatit. Mendërisht jemi mirë dhe nuk duhet të rreshtim së ëndërruari. Kishim objektiv kualifikimin në Champions, tani duam të fitojmë titullin kampion.

Nuk na kishte shkuar mendja se do të ishim në garë për vendin e parë. Jemi përmirësuar me kalimin e kohës dhe na është rritur besimi. Kjo Lazio ka shumë cilësi, tani duhet të rifitojmë formën fizike. Ndeshjet e para janë shumë të rëndësishme dhe duhet të jemi gati.

 

Thomas Strakosha

Skuadra është rritur shumë edhe në aspektin mental, teknikisht e kanë parë të gjithë çfarë kualiteti kemi. Inzaghi na ka dhënë shumë besim, ka ndikuar që të besojmë më shumë te vetja jonë. Kemi shumë dëshirë për t’u përmirësuar edhe më shumë, nuk duhet të ndalemi kurrë së rrituri.

Kam qenë gjithmonë një person i qetë. Nuk flas shumë, kjo ndodh sepse dua t’i transmetoj qetësi shokëve të skuadrës. Më pëlqen të prek sa më shumë topin, diçka e tillë më mban gjallë gjatë ndeshjes. Shpresoj të jemi mbrojtja më e mirë në fund të kampionatit.

Shqipëria? Dua të jap një kontribut më të madh në kombëtare, ky është shkaku pse duhet të përmirësohem edhe më shumë. Jam mësuar me skemën 3-5-2, e kemi më të lehtë për të gjetur zgjidhje me këtë skemë. Nuk ka qenë e lehtë të bëhesha titullar i Lazios në moshën 20-vjeçare. S’e prisja, ka qenë një privilegj i madh për mua. E di që nuk u ndodh të gjithëve, jam shumë i kënaqur dhe po e shijoj çdo ndeshje“, përfundon Strakosha. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!